Në “Kolegjin Loyola” në Prizren ka filluar Kampi Nacional 2026, i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Basketbollistët dhe basketbollistet e përzgjedhur janë bërë bashkë në këtë kamp, i cili synon zhvillimin dhe avancimin e talenteve të reja të basketbollit kosovar.
Kampi Nacional do të zhvillohet nga 10 deri më 14 gusht, ndërsa gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit do të jenë pjesë e një programi intensiv me stërvitje, aktivitete edukative dhe aktivitete të tjera të planifikuara. Të gjithë pjesëmarrësit dhe trajnerët do të qëndrojnë të akomoduar në ambientet e Kolegjit Loyola, ku do të zhvillohet edhe programi i plotë i kampit.
Në kamp po marrin pjesë fëmijët e përzgjedhur pas pesë grumbullimeve të mbajtura në regjionet e Kosovës dhe testimeve finale që janë zhvilluar. Në fund lojtarët/et e përzgjedhur do të jenë pjesë e Kosovës për turneun ndërkombëtar të FIBA YDF-së.
Kampi Nacional është vazhdimësi e punës së FBK-së për identifikimin, zhvillimin dhe përcjelljen e talenteve të reja, duke u ofruar basketbollistëve dhe basketbollisteve të rinj mundësi për të punuar në një ambient të organizuar dhe profesional.