Kapiteni i Atalantës, Marten De Run ka reaguar për transferimin e Berat Gjimshitit te Al-Diriyah në Arabinë Saudite. Ai i jep lamtumirën shokut të tij ku luajtën krah njëri tjetrit për shumë sezone ku fituan edhe Ligën e Europës.Shkrimi i plotë Miku im, Si i gjen fjalët e duhura për të përshkruar gjithçka që kemi përjetuar së bashku gjatë dhjetë viteve të fundit?
Që nga gjashtë muajt e parë me Rejan deri më sot, dhjetë vjet më vonë. Zhgënjimet dhe fitoret e jashtëzakonshme. Historia që kemi shkruar. E kemi udhëhequr Atalantën në të gjithë Evropën, duke u përballur me klubet më të mëdha dhe lojtarët më të mirë në botë. Liga e Kampionëve, Liga e Evropës, finalet e Kupës së Italisë… Praktikisht gjithçka që një futbollist mund të dëshirojë.
Dhe gjithmonë kemi qenë bashkë. Në fillim, ishim pjesë e një grupi të shkëlqyer që bëri histori, një grup që u bë gjithnjë e më i vogël me kalimin e viteve. Ti dhe unë ishim të ngjashëm në shumë mënyra, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Shpesh flisnim për ta: ata lojtarë që ndoshta nuk ishin gjithmonë në qendër të vëmendjes, por që në fushë ishin vendimtarë për të gjithë të tjerët.
Dhe kjo pa përmendur as personin që je jashtë fushës. Mentalitetin tënd. Shembullin që ke dhënë gjithmonë. Ti që nuk dorëzohesh kurrë dhe je gjithmonë aty për të tjerët. Ndoshta momenti kur personi që je u zbulua më qartë ishte pas fitores në Europa League.
Në një kohë kur mund të kishe tërhequr gjithë vëmendjen tek vetja dhe të kishe shijuar momentin tënd të lavdisë, mendove për mua dhe Rafën: dy djem me të cilët kishe përjetuar dhe ndarë kaq shumë, por që po kalonin një kohë të vështirë në atë kohë. Ky gjest të përshkruan më mirë se çdo fjalë. Më preku thellë. Ashtu siç më prek thellë fakti që tani po largohesh.
Udhëtimi ynë së bashku po i vjen ngadalë fundi. Shikimet që shkëmbyem në fushë dhe në dhomën e zhveshjes… E kuptuam njëri-tjetrin. Shpesh, nuk kishim nevojë për fjalë. Familjet tona e njohin mirë njëra-tjetrën. I kam parë fëmijët tuaj të rriten, dhe ju i keni parë të mitë të rriten. Këto janë kujtime dhe lidhje që shkojnë shumë përtej futbollit.
Jam i sigurt se rrugët tona do të kryqëzohen përsëri. Nuk kam dyshim për këtë. Je një legjendë e këtij klubi. Por mbi të gjitha, je një mik dhe një person që ka qenë gjithçka për mua. Faleminderit për gjithçka. Marten
