85 aksidente deri në gusht, dy fëmijë humbën jetën me trotinetë –

0%

Përdorimi i trotinetëve elektrikë po vazhdon të paraqesë shqetësim për sigurinë në komunikacion. Sipas të dhënave të Emergjencës, deri në fillim të gushtit të këtij viti janë regjistruar 85 aksidente me mjete të kategorisë së motorëve, ku përfshihen trotinetët e thjeshtë dhe elektrikë, biçikletat dhe motoçikletat.

Naser Syla, shef i Emergjencës në QKUK, ka bërë të ditur për Telegrafin se në mesin e rasteve me fatalitet kanë qenë edhe dy fëmijë që kanë humbur jetën duke përdorur trotinet, ndërsa numri i viktimave nga aksidentet me motoçikleta, sipas tij, është edhe më i lartë.

“Deri në fillim të gushtit janë regjistruar 85 aksidente me mjete të kategorisë së motorëve, ku përfshihen trotinetët e thjeshtë dhe elektrikë, biçikletat dhe motoçikletat. Në mesin e rasteve me fatalitet kanë qenë edhe dy fëmijë që kanë humbur jetën duke përdorur trotinet. Ndërsa numri i viktimave nga aksidentet me motoçikleta është edhe më i lartë”, ka deklaruar Syla.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Të dhënat e Emergjencës ngrenë shqetësimin për sigurinë e përdoruesve të këtyre mjeteve, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për të mitur.

Sekuestrohen shtatë trotinetë elektrikë në Prishtinë, drejtuesve u shqiptohen gjoba në vlerë prej 150 eurosh Lidhur me masat e ndërmarra, Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit gjatë këtij viti ka zhvilluar plane të ndryshme operative, me fokus të veçantë në përdorimin e trotinetëve elektrikë dhe motoçikletave.

“Deri më tani gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka ndërmarrë plane të ndryshme operative, me fokus të veçantë në kontrollin dhe mbikëqyrjen e përdorimit të trotinetëve elektrikë dhe motoçikletave, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e shkeljeve në komunikacion”, ka deklaruar Plana.

Sipas tij, si rezultat i këtyre aksioneve, Policia ka sekuestruar 205 motoçikleta dhe trotineta elektrike. “Si rezultat i veprimeve të ndërmarra, janë sekuestruar gjithsej 205 motoçikleta dhe trotineta elektrike”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë.

Ndërsa, për shkelësit e rregullave gjatë përdorimit të trotinetëve elektrikë parashihet edhe gjobë prej 150 eurosh, masë e cila synon të rrisë respektimin e rregullave të komunikacionit dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.

Të dhënat tregojnë se institucionet po përballen me një numër të konsiderueshëm të aksidenteve ku përfshihen përdoruesit e mjeteve të lehta motorike, ndërsa rastet me fatalitet kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e tyre në rrugët e kryeqytetit.

Numri i aksidenteve dhe rastet me fatalitet kanë rikthyer në vëmendje nevojën për kujdes të shtuar në përdorimin e trotinetëve, motoçikletave dhe mjeteve të tjera me dy rrota, veçanërisht në zonat me qarkullim të dendur në kryeqytet.

Burimi: Telegrafi