Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka futur në fjalorin e presionit politik edhe një element tjetër: ujin. Më , Vuçiq deklaroi publikisht se Serbia kishte thirrur ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Pastaj erdhi fjalia që e nxori deklaratën jashtë çdo kornize thjesht teknike: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.” Një ditë më vonë ai u përpoq ta zbuste qëndrimin, duke thënë se nuk po kërcënonte askënd dhe se Serbia po merrej vetëm me rrjedhat ujore në territorin e vet.
Fjala Ibar nuk është “përkthimi” serb i një fjale me kuptim të veçantë serbisht; është forma serbe e një emri të vjetër gjeografik iliro dardan. Shqipja përdor formën Ibër, ndërsa serbishtja Ibar. Por pikërisht këtu fillon problemi. Ibri nuk është një rubinet në oborrin e Beogradit që mund të hapet apo mbyllet sipas humorit politik.
Është një lumë ndërkufitar dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk mund të trajtohet sipas parimit: “Jam sovran, prandaj bëj çfarë dua”. Kur ndërhyrja mbi një burim natyror brenda një shteti prodhon pasoja të konsiderueshme përtej kufirit, sovraniteti territorial nuk është më argumenti i vetëm. Aty fillojnë përgjegjësia, bashkëpunimi dhe e drejta ndërkombëtare.
Sovraniteti nuk është licencë për të mbyllur ujin Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq reagoi ndaj ministrit shqiptar Ferit Hoxha duke deklaruar se Serbia është shtet sovran dhe do të vendosë vetë si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Në pamje të parë, ky tingëllon si argument juridik. Në realitet është vetëm gjysma e së vërtetës.
Serbia është sovrane mbi territorin e saj, por sovraniteti territorial nuk i jep një shteti të drejtë absolute për të ndërmarrë veprime brenda kufijve të vet kur pasojat e tyre të konsiderueshme kalojnë përtej kufirit.
Nëse logjika e Beogradit do të pranohej si absolute, çdo shtet në rrjedhën e sipërme të një lumi do të mund ta devijonte, ndotte apo shteronte atë dhe pastaj t’i thoshte fqinjit: “Mos ndërhy, është çështja ime e brendshme”.
Pikërisht për të shmangur një situatë të tillë është zhvilluar e drejta ndërkombëtare e ujërave, e mbështetur mbi parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, parandalimit të dëmit të konsiderueshëm ndërkufitar, bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe konsultimit. Pra, pyetja nuk është vetëm se ku mund të ndërtojë Serbia një kanal, digë apo vepër hidroteknike.
Pyetja është se çfarë pasoje do të prodhonte ajo ndërhyrje në Kosovë. Nëse ndryshimi i rrjedhës do të zvogëlonte ndjeshëm prurjet drejt Ujmanit, do të prekte furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë apo ekosistemin, nuk do të kishim më vetëm një projekt të brendshëm serb, por një problem të drejtpërdrejtë ndërkufitar.
“Të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” – fjalia që ndryshon gjithçka Pikërisht këtu deklarata e Vuçiqit merr peshën e saj më shqetësuese. Nëse presidenti serb do të kishte folur vetëm për një studim teknik për nevojat ujore të Serbisë, çështja do të mund të trajtohej fillimisht si debat hidrologjik.
Por kur ndryshimi i rrjedhës shoqërohet me fjalët “pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët”, uji lidhet drejtpërdrejt me reagimin politik të palës tjetër. Në këtë kontekst, ai rrezikon të paraqitet jo vetëm si burim natyror, por si levë presioni politik. Për Kosovën kjo nuk është çështje abstrakte.
Ibri furnizon sistemin e Ujmanit dhe Ibër-Lepencit, i cili lidhet drejtpërdrejt me ujin e pijshëm, energjinë, industrinë dhe bujqësinë. Ujmani nuk është një pellg politik dhe Ibër-Lepenci nuk është infrastrukturë dytësore. Ato janë arterie të një sistemi që furnizon qytetarët dhe ekonominë.
Prandaj reagimi i Prishtinës dhe kërkesa që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë nuk mund të reduktohen thjesht në retorikën e radhës Kosovë–Serbi. Hoxha flet për ligjin, Beogradi nxjerr “Shqipërinë e Madhe” Ferit Hoxha e vendosi debatin aty ku duhej: në planin juridik ndërkombëtar.
Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje ekskluzivisht e brendshme dhe uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik.
Në vend që Beogradi t’i përgjigjej këtij argumenti me studime hidrologjike, të dhëna teknike dhe garanci se një projekt eventual nuk do të shkaktonte dëm ndërkufitar, reagimi serb kaloi shpejt në territorin e njohur të propagandës ballkanike: Kosova, sovraniteti serb, ndërhyrja shqiptare dhe, pothuajse pashmangshëm, “Shqipëria e Madhe”.
Edi Rama e kapi pikërisht këtë kontradiktë, duke ironizuar se debati filloi nga hidrologjia, kaloi në të drejtën ndërkombëtare, bëri ndalesën e detyrueshme te “Shqipëria e Madhe”, vazhdoi te “Kosova dhe Metohia” dhe përfundoi në muzeun e anktheve historike serbe.
Përtej ironisë, argumenti është fare i thjeshtë: Shqipëria nuk ka nevojë të pretendojë territorin e Kosovës për të thënë se një lumë ndërkufitar duhet të trajtohet sipas normave ndërkombëtare. Për të kuptuar problemin nuk duhet një hartë e “Shqipërisë së Madhe”. Duhet vetëm një hartë hidrologjike.
Ibri nuk buron në Serbi – gjeografia që Beogradi nuk mund ta ndryshojë Dhe harta tregon një fakt kokëfortë: Ibri nuk buron në Serbi. Burimet e tij ndodhen në Mal të Zi, në zonën malore pranë Rozhajës.
Prej andej lumi hyn në Serbi, vazhdon drejt Kosovës, ku ushqen Liqenin e Ujmanit dhe sistemin Ibër-Lepenc, dhe më pas del përsëri nga Kosova në Serbi, për t’u bashkuar me Moravën Perëndimore pranë Kraljevës. Itinerari natyror është pra: Mal i Zi–Serbi–Kosovë–Serbi. Vetë gjeografia e rrëzon idenë e një lumi ekskluzivisht serb.
Ky fakt e bën edhe më problematik pretendimin se Ibri mund të trajtohet thjesht si “burim natyror i Serbisë”. Serbia ka sovranitet mbi pjesën e territorit të vet ku kalon lumi dhe të drejtën ta përdorë ujin për nevojat e saj, por kjo nuk do të thotë se zotëron të gjithë lumin apo se mund të shpërfillë efektet e përdorimit të tij mbi territoret e tjera të pellgut.
Në të drejtën ndërkombëtare të ujërave nuk ka rëndësi vetëm vendi ku ndërtohet diga ose kanali; rëndësi kanë pasojat ndërkufitare të ndërhyrjes. Paradoksi serb: Beogradi është edhe sipër, edhe poshtë rrjedhës Rasti i Ibrit përmban madje një paradoks të veçantë për argumentin serb.
Serbia është njëkohësisht vend në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme të segmenteve të këtij sistemi, sepse Ibri kalon nga Serbia në Kosovë dhe më pas rikthehet në Serbi. Parimin që Beogradi do të kërkonte të respektohej për veten kur ndodhet poshtë rrjedhës, nuk mund t’ia mohojë Kosovës kur Serbia ndodhet sipër saj.
Kjo është një nga arsyet pse e drejta ndërkombëtare e ujërave nuk ndërtohet mbi privilegjin absolut të shtetit të sipërm. Pozicioni gjeografik nuk duhet të shndërrohet në armë politike. Aq më tepër që një ndryshim i rrjedhës nuk do të prekte domosdoshmërisht vetëm shqiptarët. Në veri të Kosovës jeton edhe popullsi serbe. Uji nuk ka sensor etnik.
Nuk pyet nëse konsumatori është shqiptar apo serb përpara se të mbërrijë në rubinet. Kështu, përdorimi politik i tij do të ishte kontradiktor edhe me narrativën e Beogradit për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.
Precedenti i Danubit: kur devijimi i lumit përfundoi në Hagë Pikërisht këtu ekziston një precedent ndërkombëtar që meriton vëmendje të veçantë: çështja Gabčíkovo–Nagymaros, ndërmjet Hungarisë dhe Sllovakisë, e gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1997.
Mosmarrëveshja lidhej me një projekt të madh digash mbi Danub dhe me masat e njëanshme të ndërmarra pasi bashkëpunimi mes palëve u prish. Në qendër të konfliktit ishte edhe devijimi i një pjese shumë të madhe të ujërave të Danubit drejt një kanali në territorin e kontrolluar nga njëra palë.
Gjykata arriti në një përfundim me rëndësi të madhe për çdo debat mbi lumenjtë ndërkufitarë: fakti që një shtet ka mundësinë fizike ta kontrollojë apo devijojë një pjesë të ujit nuk do të thotë se ka automatikisht të drejtën juridike ta bëjë këtë duke privuar palën tjetër nga pjesëmarrja e saj e drejtë dhe e arsyeshme në burimet e rrjedhës ndërkombëtare.
Rasti nuk është juridikisht identik me Ibrin, sepse Hungaria dhe Sllovakia kishin edhe një traktat bilateral specifik, ndërsa statusi ndërkombëtar i Kosovës krijon rrethana të tjera. Por parimi është tepër domethënës: kontrolli fizik mbi pikën e devijimit nuk barazohet me pronësi absolute mbi lumin.
Danubi dje, Nili sot – uji nuk njeh sovranitet absolut Një shembull tjetër është Nili dhe konflikti shumëvjeçar rreth Digës së Rilindjes së Madhe Etiopiane. Etiopia argumenton se ka të drejtë ta shfrytëzojë lumin për zhvillim dhe prodhim energjie, ndërsa Egjipti e konsideron sigurinë e rrjedhës së Nilit një çështje ekzistenciale kombëtare.
Rasti është shumë më kompleks dhe nuk duhet barazuar mekanikisht me Ibrin, por demonstron të njëjtën dilemë: shteti në rrjedhën e sipërme ka të drejta mbi ujin, por ato bashkëjetojnë me interesat dhe të drejtat e popullsive që varen nga i njëjti sistem më poshtë. Shembulli i Danubit është juridikisht edhe më i fortë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e trajtoi drejtpërdrejt konfliktin mbi një lumë të përbashkët dhe një ndërhyrje të njëanshme. Ndërsa në çështjen Pulp Mills on the River Uruguay, GJND-ja theksoi rëndësinë e vlerësimit të ndikimit mjedisor kur një aktivitet paraqet rrezik për ndikim të konsiderueshëm negativ ndërkufitar.
Këto raste tregojnë se shtetet nuk jetojnë në ishuj juridikë: ajo që ndërtohet brenda kufirit mund të krijojë detyrime kur pasojat kalojnë kufirin. Kosova nuk është në OKB, por Ibri përsëri mbetet ndërkufitar Fakti që Kosova nuk është palë në Konventën e OKB-së të vitit 1997 nuk e zhduk problemin.
Serbia mund të përpiqet ta përdorë këtë fakt për ta ngushtuar debatin juridik, por parimet e menaxhimit të ujërave ndërkufitare janë më të gjera se marrëdhënia formale ndërmjet dy palëve të një traktati.
Përdorimi i drejtë dhe i arsyeshëm, parandalimi i dëmit të konsiderueshëm, bashkëpunimi, shkëmbimi i informacionit dhe vlerësimi i ndikimit mjedisor kanë një peshë shumë më të gjerë në të drejtën ndërkombëtare. Mosanëtarësimi i Kosovës në OKB nuk e transformon Ibrin në lumë ekskluzivisht serb. Gjeografia nuk ndryshon sipas statusit diplomatik.
Nëse një ndërhyrje në Serbi shkakton pasoja të konsiderueshme në Kosovë, pasoja fizike ekziston pavarësisht nëse Beogradi e njeh ose jo Republikën e Kosovës. Nëse ka inxhinierë, ku është projekti? Këtu Kosova nuk duhet të kënaqet me deklarata politike.
Nëse Vuçiq thotë se janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe specialistë të ndërtimit, atëherë lind një pyetje elementare: Çfarë po projektohet konkretisht? Ku parashikohet devijimi? Sa ujë synohet të merret? Në cilën periudhë të vitit? Çfarë ndikimi do të kishte në prurjet drejt Ujmanit? A është bërë studim hidrologjik? A ekziston një vlerësim i ndikimit mjedisor?
A janë analizuar pasojat mbi furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë e Kosovës? Nëse këto pyetje nuk kanë përgjigje, atëherë kemi ose një kërcënim politik të papërgjegjshëm, ose paralajmërimin e një projekti që kërkon menjëherë transparencë. Kosova nuk duhet të presë derisa ekskavatorët të dalin në terren. Nëse ekzistojnë studime teknike, duhet kërkuar informacion për to tani.
Kosova duhet të përgjigjet me një dosje, jo me folklor Përgjigjja më e dobët e Kosovës do të ishte një garë deklaratash nacionaliste.
Përgjigjja më e fortë do të ishte një dosje ndërkombëtare: matje të prurjeve të Ibrit, analiza të varësisë së Kosovës nga Ujmani, skenarë të reduktimit të ujit, ndikimi mbi termocentralet, furnizimin e komunave, ujitjen dhe ekosistemin, të shoqëruara me një analizë serioze juridike. Kosova duhet ta çojë çështjen në Bruksel, Uashington dhe në çdo tryezë ku diskutohet normalizimi me Serbinë.
Nëse Beogradi kërkon të paraqitet si shtet evropian dhe kandidat për integrim, duhet të sillet si shtet evropian edhe në administrimin e ujërave ndërkufitare: me transparencë, konsultim, bashkëpunim dhe respekt për pasojat që veprimet e tij mund të kenë mbi fqinjët.
Ibri nuk është armë Dhe në fund duhet të kthehemi te fjalia e Vuçiqit: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët.” Në Evropën e shekullit XXI nuk duhet të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët pasi t’u prekësh ujin. Duhet të shohim çfarë thotë ligji, çfarë tregojnë studimet hidrologjike dhe çfarë kërkojnë standardet ndërkombëtare. Shqipëria ka të drejtë të flasë.
Kosova ka arsye të alarmohet. Partnerët ndërkombëtarë kanë arsye të kërkojnë sqarime. Serbia duhet të shpjegojë se çfarë projekti po shqyrton dhe çfarë pasojash mund të ketë. Vuçiqi mund të ndryshojë retorikën nga një ditë në tjetrën. Mund të thotë të dielën “do të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” dhe të hënën të deklarojë se “nuk po kërcënon askënd”.
Por uji nuk funksionon me korrigjime politike. Nëse e devijon, pasoja mbetet. Nëse e pakëson, pasoja mbetet. Nëse shkakton dëm përtej kufirit, problemi juridik nuk zhduket vetëm sepse ekskavatori ndodhej në territorin serb. Në fund, Edi Rama e përmblodhi me një metaforë që në këtë rast përputhet fort me realitetin gjeografik: lumenjtë ndjekin gjeografinë, jo folklorin politik.
Beogradi mund të flasë për “Shqipëri të Madhe”, “Kosovë e Metohi” dhe sovranitet serb, por Ibri nuk dëgjon. Ai buron në Mal të Zi, kalon në Serbi, hyn në Kosovë dhe rikthehet në Serbi. Ibri nuk është pronë politike e Beogradit. Është një lumë ndërkufitar. Nuk është armë. Është ujë, energji, ekonomi dhe jetë. Ndaj, Ibër, mos u ndal.
