Ka vijuar gjatë gjithë natës përpjekja për shuarjen e flakëve në zonën e Zidonit dhe në lagjen Bojë të Krujës, ku zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë kanë ndërhyrë nga terreni për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Me zbardhjen e ditës së sotme kanë rifilluar operacionet nga ajri.
Dy helikopterë të ushtrisë vijojnë të hedhin ujë mbi vatrën e zjarrit, e cila mbetet ende aktive në këtë zonë. Situata raportohet në drejtim të normalizimit, ndërsa flakët po shkojnë drejt shuarjes. Forcat në terren vijojnë punën për izolimin e plotë të vatrës dhe shmangien e riaktivizimit të saj. Deri tani nuk raportohet për dëme në banesa apo persona të lënduar.
Megjithatë, dëmet e shkaktuara në ekosistem vlerësohen të jenë të pallogaritshme. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në florën dhe faunën e zonës.
