Barcelona-Rodri, këto janë zhvillimet e fundit

0%

Barcelona ka rikthyer kontaktet me Manchester Cityn për transferimin e mesfushorit spanjoll, Rodri, ndërsa negociatat mes palëve pritet të intensifikohen gjatë kësaj jave. Sipas “Flashscore”, Manchester City është i gatshëm të hyjë në fazën e ardhshme të negociatave, pasi Barcelona ka shfaqur interes të fortë për transferimin e fituesit të Topit të Artë.

Barcelona kishte bërë një ofertë fillestare prej 45 milionë eurosh për Rodrin, por kjo shumë është refuzuar nga Manchester City, i cili e vlerëson mesfushorin dukshëm më lart. Klubi anglez synon rreth 80 milionë euro për kartonin e Rodrit, veçanërisht pas shpenzimeve të mëdha në këtë afat kalimtar. City tashmë ka investuar mbi 130 milionë euro për transferimin e Elliot Andersonit.

Siç raportohet, Manchester City e di se Barcelona po përgatit një ofertë të re zyrtare, ndërsa palët kanë nisur diskutimet për të gjetur një kompromis rreth vlerës së transferimit. Negociatat aktualisht po zhvillohen në një atmosferë miqësore dhe si Barcelona, ashtu edhe vetë Rodri, janë optimistë për mundësinë e realizimit të marrëveshjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Situata financiare e Barcelonës mund të përmirësohet më tej nga shitja e Ferran Torresit te Paris Saint-Germain për një shumë që pritet të jetë mbi 50 milionë euro. Megjithatë, Barcelona nuk pritet t’i plotësojë menjëherë kërkesat e Manchester Cityt. Pika kryesore e negociatave do të jetë se sa i gatshëm është klubi anglez të ulë vlerësimin fillestar prej rreth 80 milionë eurosh.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është kontrata e Rodrit, e cila skadon pas një viti. Pavarësisht kësaj, Manchester City e konsideron spanjollin si mesfushorin defensiv më të mirë në botë dhe kërkon një shumë të konsiderueshme për largimin e tij.

Barcelona synon që negociatat të zhvillohen në mënyrë korrekte dhe pa tensione, ndërsa ekziston bindja se bisedimet për transferimin e Rodrit në Spanjë mund të marrin ritëm të madh në ditët në vijim. Nëse palët arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për çmimin, Rodri mund të jetë një nga transferimet më të bujshme të Barcelonës në këtë afat kalimtar.

Burimi: Bota Sot