Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për vazhdimin e masave për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës, duke vlerësuar se ky vendim po i dëmton rëndë bizneset, po e cenon konkurrencën e lirë dhe, mbi të gjitha, nuk po sjell përfitime reale për konsumatorët.
“Vendimi nuk plotëson asnjërin nga kriteret e përcaktuara në nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme. Gjithashtu është në kundërshtim Udhëzimin Administrativ (QRK) nr. 03/2022, sipas të cilit masa të tilla mund të zbatohen për një periudhë maksimale prej 90 ditësh.
Shoqata e konsideron të domosdoshme që opinioni publik të informohet se, krahas rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar është rritur edhe pagesa në buxhetin e shtetit.
Nga data deri më sot, konsumatorët kanë paguar në buxhetin e shteti mesatarisht rreth 7.5 centë për litër, më shumë se në periudhën para fillimit të konfliktit dhe rritjes së çmimeve të furnizim it”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Sipas kësaj shoqate, mungesa e politikave mbështetëse dhe e një plani operativ shtetëror për përballimin e krizave energjetike ndërkombëtare ka bërë që barra financiare të vazhdojë të bjerë mbi qytetarët dhe bizneset. “Pavarësisht vështirësive dhe humbjeve financiare, kompanitë e sektorit të naftës kanë vazhduar të sigurojnë furnizim të rregullt dhe të pandërprerë të tregut.
Karburantet janë produkte me rëndësi jetike për ekonominë, transportin dhe sigurinë kombëtare”. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i kërkon Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që ta anulojë menjëherë vendimin për kontrollin e çmimeve dhe ta rikthejë funksionimin e tregut mbi parimet e konkurrencës së lirë.
“Nëse vendimi nuk anulohet, Shoqata, do të shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike për rregullimin e këtyre shkeljeve, si dhe të kërkoj kompensim për humbjet e shkaktuara nga këto masa.
Shoqata mbetet e hapur për dialog institucional dhe kërkon që çdo vendim i ardhshëm për këtë sektor të mbështetet në analiza profesionale, ligjshmëri, transparencë dhe konsultim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e industrisë ”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
