Prizren, gjykimi për akuzën – shtytje në tentativë të vrasjes,

0%

Në Gjykatën e Prizrenit të hënën, më , ka vazhduar gjykimi ndaj Sejdi Rexhajt, i akuzuar nga Prokuroria se kishte shtyrë Besnik Ukajn që në këmbim të 20 mijë eurove ta vriste Rifat Thaqin. Në këtë seancë është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit zyrtarja policore Rahime Kryeziu, e cila më kishte marrë në pyetje Besnik Ukajn në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren.

Kryeziu ka konfirmuar se së bashku me rreshterin Xhavit Berisha kanë marrë në pyetje Ukajn. E pyetur nëse i kujtohej emri i personit që pretendohej se e kishte nxitur Ukajn për kryerjen e vrasjes, dëshmitarja tha se nuk i kujtohej, ndërsa lidhur me paratë që pretendohej se i ishin ofruar Ukajt për kryerjen e vrasjes, ajo tha se i kujtohej se kishte përmendur se i ishin ofruar të holla, por nuk i kujtohej shuma.

“Po, ka përmendur që i janë ofruar të hollat, ama shumën asnjëherë s’e ka përmendur” – tha Kryeziu. Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për shumën prej 20 mijë eurosh, të cilat pretendohet se Sejdi Rexhaj ia kishte ofruar Besnik Ukajt në këmbim të vrasjes së Rifat Thaqit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tutje, e pyetur nga prokurori Mejdi Sefa nëse gjatë marrjes në pyetje kishte vërejtur nëse Ukaj kishte qenë në gjendje të rregullt shëndetësore apo emocionale, Kryeziu deklaroi se me sa i kujtohej gjithçka kishte qenë në rregull. “Jo, absolut nuk kam vërejtur asgjë në këtë drejtim”- tha Kryeziu.

Kjo pyetje iu parashtrua pasi Ukaj, gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues më , kishte deklaruar se në kohën kur kishte dhënë deklaratën para zyrtarëve policorë ishte përdorues i substancave narkotike, konkretisht i marihuanës, dhe se për këtë arsye nuk e dinte se çfarë kishte deklaruar para zyrtarëve policorë.

Dëshmitarja gjithashtu e pyetur nga prokurori Sefa deklaroi se Ukaj kishte shkuar në Polici në mënyrë vullnetare. “Ka ardhur mbi baza vullnetare” – tha ajo. Tutje, Rahime Kryeziu deklaroi se nuk i kujtohej saktësisht se çfarë kishte raportuar Ukaj në Polici, por se i kujtohej që kishte ardhur për të raportuar një rast ku dikush e kishte shtyrë një person për të kryer vrasje.

Gjithashtu në pyetjet e prokurorit Sefa në lidhje me përmbajtjen e USB-së, ajo ka deklaruar se nuk i kujtohej përmbajtja, mirëpo kujton se ka qenë incizim i zërit mes të dy personave meshkuj. “Me sa më kujtohet ka pasur vetëm zëra, mirëpo përmbajtja nuk po më kujtohet. Por ka qenë një komunikim mes dy personave meshkuj, përmbajtja e bisedës nuk më kujtohet” – tha Kryeziu.

Ndërsa e pyetur nga avokatja e të akuzuarit, Valbonë Morina, në lidhje me konfiskimin e pajisjes me të cilën edhe ishte bërë incizimi, Kryeziu deklaroi se nuk i kujtohej nëse ishte konfiskuar pajisja me të cilën ishte bërë incizimi. “Nuk më kujtohet se a është marrë mjeti me të cilin është bërë incizimi, por e di është marrë ajo që është shënuar në zinxhirin e ruajtjes” – tha ajo.

Çka thuhet në aktakuzë? Sipas Prokurorisë, i akuzuari Sejdi Rexhaj pretendohet se më , në Prizren, në fshatin Korishë, me dashje e shtyt Besnik Ukajn të kryejë veprën penale të vrasjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Sejdi Rexhaj takohet me Besnik Ukajn dhe më pas e lënë takimin në vendin e quajtur “Te Brana” në fshatin Korishë, dhe pas takimit i pandehuri i kërkon Besnik Ukajt që në këmbim të parave në shumën prej 20 mijë euro ta vrasë të dëmtuarin Rifat Thaqi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Rexhaj i ka kërkuar Ukajt që më pas ta zhdukte kufomën e tij, përmes inskenimit të vrasjes së të dëmtuarit duke i vendosur një sasi të narkotikut në veturën e tij dhe më pas ta vrasë, dhe vrasja të dukej si hakmarrje mes grupeve kriminale.

Tutje nga aktakuza bëhet e ditur se i akuzuari me të dëmtuarin Rifat Thaqi kishin një mosmarrëveshje paraprake lidhur me pronën e të akuzuarit Sejdi Rexhaj të cilën në shfrytëzim e ka i dëmtuari Rifat Thaqi, mirëpo një veprim të tillë nuk ka tentuar të ndërmarrë Besnik Ukaj, i cili rastin e kishte paraqitur në Policinë e Kosovës.

Me këto veprime i akuzuari Sejdi Rexhaj pretendohet ta ketë kryer veprën penale të shtytjes në tentativë të vrasjes.

Burimi: Kallxo