Policia e Kosovës ka nisur marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndërsa përgjegjësi të reja po i kalojnë asaj edhe në zonën përreth Manastirit të Deçanit.
Ky zhvillim, që vjen në kuadër të tranzicionit gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it dhe integrimit më të madh të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë, po shihet si një hap me rëndësi për konsolidimin e institucioneve vendore të sigurisë.
Në lidhje me rëndësinë politike dhe institucionale të këtij zhvillimi, mesazhin që ai përcjell për Beogradin, si dhe ndikimin që mund të ketë në debatin e brendshëm politik në Kosovë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.
Sipas tij, kalimi gradual i përgjegjësive te institucionet e Kosovës nuk duhet të interpretohet si dobësim i pranisë ndërkombëtare apo i sigurisë, por si dëshmi e rritjes së kapaciteteve dhe përgjegjësive të institucioneve të Republikës së Kosovës “Vendimi i KFOR-it për tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, i lidhur me përmirësimin e situatës së sigurisë, është një zhvillim me rëndësi të veçantë për Kosovën.
Ky hap duhet të shihet mbi të gjitha si dëshmi se institucionet e Republikës së Kosovës dhe strukturat e saj të sigurisë po konsolidohen dhe po marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi për garantimin e rendit dhe sigurisë në territorin e vendit.
Prania e KFOR-it mbetet shumë e rëndësishme për stabilitetin e Kosovës dhe rajonit, por synimi i çdo shteti demokratik duhet të jetë që institucionet e veta të jenë në gjendje të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë efektive.
Në këtë kuptim, kalimi gradual nga një prani e përhershme në një rol më fleksibil të KFOR-it nuk duhet të interpretohet si dobësim i sigurisë, por si shenjë e një situate më të qëndrueshme dhe e rritjes së kapaciteteve vendore ”, deklaroi Halilaj.
Ndërkaq, avokati e vlerësoi si të rëndësishëm edhe integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit. Gazmend Halilaj. Sipas tij, ky zhvillim dëshmon për rritjen e rolit dhe besimit ndaj Policisë së Kosovës, veçanërisht në zona ku çështjet e sigurisë kanë qenë shpesh të ndërlidhura me tensionet politike dhe etnike.
“Edhe integrimi gradual i Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit është një zhvillim me peshë të madhe institucionale. Ai dëshmon se Policia e Kosovës po trajtohet gjithnjë e më shumë si një institucion i rëndësishëm dhe profesional i sigurisë në Republikën e Kosovës.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në zona ku siguria shpesh është përdorur si instrument i tensioneve politike dhe etnike ”, tha ai. Më tej, Halilaj u shpreh se zhvillimet e fundit përçojnë një mesazh të qartë edhe për Beogradin, duke theksuar se siguria në Kosovë është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai tha se forcimi i institucioneve nuk duhet të shihet si veprim kundër ndonjë komuniteti, por si konsolidim i rendit kushtetues dhe institucional të vendit. “Mesazhi për Beogradin duhet të jetë i qartë: siguria në Kosovë është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe çdo zhvillim që forcon këto institucione kontribuon në stabilitetin afatgjatë.
Kjo nuk duhet të shihet si një hap kundër ndonjë komuniteti, por si konsolidim i rendit kushtetues dhe institucional të Kosovës.
Po ashtu, për të gjithë ata faktorë politikë brenda Kosovës që kundërshtojnë ose relativizojnë forcimin e institucioneve shtetërore, ky zhvillim duhet të jetë një argument se ndërtimi i institucioneve funksionale dhe profesionale është në interes të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo politike ”, theksoi Halilaj.
Në lidhje me ndikimin politik të këtij zhvillimi, avokati tha se Qeveria e Kosovës mund ta konsiderojë atë si një sukses politik, por shtoi se forcimi i institucioneve të sigurisë nuk duhet t’i atribuohet vetëm një qeverie apo partie. Sipas tij, siguria është interes shtetëror dhe përparimet në këtë fushë duhet të shihen si sukses i institucioneve të Kosovës në tërësi.
“Sa i përket Qeverisë së Kosovës, natyrisht se ky zhvillim mund të konsiderohet edhe si një sukses politik, në kuptimin që forcimi i institucioneve të sigurisë dhe rritja e besimit te kapacitetet vendore janë zhvillime pozitive për shtetin. Por nuk do të ishte e drejtë që një proces i tillë institucional të trajtohet vetëm si pronë e një qeverie apo e një partie politike.
Siguria e Republikës së Kosovës është interes shtetëror dhe sukseset në këtë fushë duhet t’u atribuohen institucioneve të Kosovës në tërësi” , u shpreh ai. Në fund, Halilaj kërkoi që edhe opozita ta trajtojë këtë zhvillim me përgjegjësi shtetërore, duke vlerësuar se kritikat ndaj Qeverisë nuk duhet të shndërrohen në kundërshtim ndaj proceseve që forcojnë institucionet e sigurisë.
Ai theksoi se interesat shtetërore duhet të jenë mbi ato partiake, pasi qeveritë dhe partitë ndryshojnë, ndërsa institucionet e shtetit mbeten. “Prandaj, edhe opozita duhet ta trajtojë këtë çështje me përgjegjësi shtetërore.
Mund të ketë kritika ndaj Qeverisë për shumë çështje, por forcimi i Policisë së Kosovës, përmirësimi i sigurisë dhe rritja e përgjegjësisë së institucioneve të Republikës nuk duhet të kthehen në betejë të zakonshme partiake. Në fund të fundit, qeveritë ndryshojnë, partitë vijnë dhe shkojnë, ndërsa institucionet e shtetit mbeten.
Ky është pikërisht një rast ku interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesin partiak”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
