Fëmijët e sotëm po rriten mes telefonave, tabletëve, televizorëve dhe aplikacioneve që janë krijuar për t’i mbajtur të angazhuar për orë të tëra. Për prindërit, ekrani mund të jetë një zgjidhje e shpejtë në një ditë të ngarkuar: një video ndërsa përfundojnë punët, një lojë gjatë gatimit apo një program që e mban fëmijën të qetë për pak kohë.
Por një studim i ri sugjeron se koha që fëmijët kalojnë para ekranit në periudha të caktuara të zhvillimit mund të lidhet me mënyrën se si mësojnë dhe funksionojnë edhe vite më vonë.
Studiues nga Inserm dhe Universiteti Kombëtar i Singaporit analizuan të dhëna nga një grup prej 502 fëmijësh, duke krahasuar kohën që ata kalonin para ekranit në mosha të ndryshme me rezultatet e tyre akademike dhe kujtesën e punës në vitet pasuese.
Rezultatet treguan një lidhje të qartë: sa më e lartë të ishte koha para ekranit në moshë të vogël, aq më të dobëta prireshin të ishin rezultatet akademike dhe kujtesa më vonë.
Megjithatë, dy periudha të zhvillimit u veçuan veçanërisht. 18 deri në 24 muaj: një periudhë veçanërisht e ndjeshme Sipas studiuesve, koha e kaluar para ekranit në moshat rreth 18 muaj deri në dy vjeç ishte ndër faktorët që lidhej më fort me pasojat e vërejtura më vonë. Kjo është një periudhë jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës.
Në këtë moshë, ai po mëson të ecë, të njohë njerëzit dhe objektet përreth, të komunikojë dhe të krijojë marrëdhënie me të tjerët. Përmes lojës, lëvizjes dhe ndërveprimit me prindërit, fëmija po ndërton vazhdimisht aftësi të reja. Kur një pjesë e madhe e kësaj kohe zëvendësohet nga ekrani, humbet edhe koha që fëmija do të kishte kaluar duke eksploruar botën reale.
Autorët e studimit theksojnë se efektet e vërejtura në moshat më të hershme ishin më të mëdhatë. Kjo mund të tregojë se truri në këtë fazë është veçanërisht i ndjeshëm dhe se ndërveprimet e drejtpërdrejta, loja dhe eksplorimi janë thelbësore për zhvillimin.
Nga 2 deri në 5 vjeç: ekrani vazhdon të ketë rëndësi Periudha nga dy deri në pesë vjeç është po aq e rëndësishme, edhe pse lidhja me zhvillimin ishte më e dobët se në moshat 18-24 muaj. Në këto vite, fëmijët fillojnë të imitojnë të tjerët, të bëhen më të pavarur, të ndjekin udhëzime të thjeshta dhe të zhvillojnë lojën imagjinative.
Ata mësojnë përmes bisedave, lëvizjes, librave, lojës me fëmijë të tjerë dhe eksplorimit të mjedisit. Një pjesë e madhe e ditës e kaluar para televizorit, telefonit apo tabletit mund t’u marrë kohën që do t’u duhej këtyre aktiviteteve.
Sipas rekomandimeve të përmendura në studim, në moshën 2-5 vjeç koha para ekranit duhet të jetë e kufizuar dhe, kur fëmija përdor një pajisje, përmbajtja duhet të jetë sa më cilësore dhe e përshtatshme për moshën.
Kjo nuk do të thotë se fëmijët duhet të qëndrojnë krejtësisht pa ekrane Rezultatet nuk nënkuptojnë se çdo minutë para ekranit është e dëmshme apo se prindërit duhet ta eliminojnë plotësisht teknologjinë nga jeta e fëmijës.
Problemi shfaqet kur ekrani bëhet aktiviteti kryesor dhe zëvendëson gjërat që janë thelbësore për zhvillimin: lojën, lëvizjen, bisedat, librat, krijimtarinë dhe kontaktin me njerëzit e tjerë. Për një prind që ka një ditë të ngarkuar, një orë me një film vizatimor mund të jetë mënyra më praktike për të fituar pak kohë. Kjo, në vetvete, nuk do të thotë se po bëhet diçka e gabuar.
Ajo që ka rëndësi është të mos shndërrohet në rutinën kryesore të fëmijës. Çfarë mund të bëjnë prindërit? Në muajt e parë të jetës, përdorimi i ekraneve duhet të shmanget sa më shumë të jetë e mundur. Në periudhën nga 18 muaj deri në dy vjeç, përdorimi duhet të jetë minimal dhe, kur ndodh, është mirë që prindi të jetë pranë fëmijës dhe të ndërveprojë me të.
Në këtë mënyrë, ekrani nuk mbetet thjesht një burim pasiv argëtimi. Prindi mund t’i shpjegojë fëmijës atë që po sheh, t’i bëjë pyetje dhe ta lidhë përmbajtjen me botën reale. Nga mosha dy deri në pesë vjeç, koha para ekranit mund të rritet gradualisht, por ende duhet të jetë e kufizuar.
Përmbajtja cilësore dhe edukative është një zgjedhje më e mirë sesa videot apo lojërat që synojnë vetëm ta mbajnë fëmijën të angazhuar. Mbi të gjitha, fëmijës i duhet një ekuilibër. Koha para ekranit mund të jetë pjesë e përditshmërisë, por nuk duhet të zëvendësojë lojën, natyrën, librat, aktivitetin fizik dhe imagjinatën.
