Një ide e pazakontë, por premtuese për mjedisin po zbatohet në Brazil, ku flokët e njeriut po përdoren për të ndihmuar në frenimin e ndotjes nga nafta në Gjirin e Guanabarës, në Rio de Zhaneiro. Projekti po zbatohet në Enseada de Bom Jesus, në Ilha do Fundão, një zonë ku mbetjet dhe ndotja përbëjnë prej vitesh problem për ekosistemin dhe komunitetet që varen nga ujërat e gjirit.
Në kuadër të nismës, flokët e njeriut vendosen në formën e rulave të mbështjellë me rrjetë pambuku. Këto pajisje janë bashkangjitur në një barrierë lundruese rreth 300 metra të gjatë, e cila më herët përdorej për të mbledhur mbetje të ngurta. Tash, përmes flokëve, ajo shërben edhe për thithjen e substancave vajore që gjenden në sipërfaqen e ujit.
Arsyeja pse flokët janë përdorur në këtë mënyrë lidhet me aftësinë e tyre për të thithur vaj. Sipas të dhënave të projektit, një gram flokë mund të thithë mesatarisht rreth pesë gramë vaj , duke e bërë këtë material një alternativë me kosto të ulët dhe me më pak mbetje. Flokët e përdorur nuk janë domosdoshmërisht flokë që përfundojnë direkt nga sallonet e bukurisë.
Një pjesë e materialit vjen nga flokë të papërdorur gjatë përgatitjes së parukeve, të cilët përndryshe do të hidheshin. Projekti synon kështu t’i japë një përdorim të ri një materiali që zakonisht përfundon në mbeturina. Teknologjia është zhvilluar nga projekti Fiotrar , në bashkëpunim me organizatën Orla Sem Lixo Transforma , me mbështetjen e Fondacionit Grupo Boticário.
Para aplikimit në terren, sistemi është testuar dhe përshtatur për kushtet specifike të Gjirit të Guanabarës. Përdorimi i flokëve për thithjen e naftës nuk është një ide e re në kërkimet mjedisore, por projekti në Guanabara përfaqëson një aplikim praktik të kësaj teknologjie në një mjedis natyror në Brazil.
Projekti Fiotrar po studion gjithashtu përdorimin e flokëve për filtrimin e ndotësve të tjerë në ujë. Nisma synon të ndihmojë në mbrojtjen e mangroveve dhe ekosistemit të Gjirit të Guanabarës, duke kombinuar një zgjidhje të thjeshtë me ripërdorimin e një materiali që zakonisht konsiderohet mbetje. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
