IKSHPK: Gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja të

0%

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për 13 raste të reja të fruthit gjatë javës së fundit në Kosovë. Sipas IKSHPK-së, veçanërisht shqetësuese është rritja e theksuar e rasteve në një periudhë prej vetëm një muaji.

Pasi, sipas njoftimit, më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja, duke arritur gjithsej në 112 raste. “Sipas shpërndarjes nëpër komuna, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 37 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 29 raste, Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 7 raste dhe Obiliq me 6 raste.

Nga tri (3) raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy (2) raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri. Nga një (1) rast është raportuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti”- ka njoftuar IKSHPK.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërsa thuhet se gjatë javës së fundit ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast kanë vaksinuar me MMR gjithsej 147 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

IKSHPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjunktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK bën thirrje për angazhim të përbashkët të institucioneve përgjegjëse, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe gjithë komunitetit për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së fruthit”- thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa është theksuar se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Burimi: Kallxo