KFOR-i nis kalimin gradual nga ura e Ibrit, Sveçla: Përgjegjësia për

0%

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Në një përgjigje për Telegrafin, KFOR-i ka bërë të ditur se ky proces është pjesë e optimizimit të pranisë së misionit në Kosovë dhe vjen në kuadër të vlerësimit për përmirësimin e situatës së sigurisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si lajm të mirë fillimin e këtij procesi, duke thënë se përgjegjësia për sigurinë në urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës. Në një prononcim për media, Sveçla tha se ky është rezultat i punës së institucioneve të sigurisë dhe i përmirësimit të situatës në vend.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të fillimit të një procesi ku përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo vjen pas një pune të gjatë dhe të suksesshme të të gjitha institucioneve të sigurisë, pas sukseseve të njëpasnjëshme të Policisë së Kosovës në sigurimin e rendit dhe ligjit dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim”, deklaroi Sveçla.

Ai tha se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in, ndërsa prania e Policisë së Kosovës në urë, sipas tij, do të reduktohet gradualisht me përmirësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë. “Patjetër që ky është një lajm i mirë. I gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani e ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë Urë.

Sigurisht që, me përmirësimin e sigurisë, edhe vetë prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garanci për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ te askush”, tha ai.

I pyetur se kur pritet të hiqen barrikadat dhe të mundësohet qarkullimi i automjeteve në urën kryesore mbi Ibër, Sveçla tha se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe dhe për vite me radhë ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë.

KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa çështja e hapjes së saj për automjete ka shkaktuar vazhdimisht reagime dhe shqetësime nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe komuniteti serb. Sveçla foli edhe për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Liqenin e Ujmanit.

Ai tha se Kosova është mësuar me deklarata që, sipas tij, cenojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e vendit. “Për sa u takojnë deklaratave të Vuçiqit, jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të cilat cenojnë sovranitetin dhe rrezikojnë sigurinë e Republikës së Kosovës. Të them të drejtën, nuk është se na bëjnë përshtypje, për shkak se nuk jemi të befasuar nga qëndrimet e tyre”, tha Sveçla.

Sipas tij, Serbia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj, por Kosova është forcuar dhe është e gatshme të marrë përgjegjësitë për garantimin e sigurisë. “Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo Serbi e viteve 1998 dhe 1999, por Kosova nuk është më e njëjta. Kosova po forcohet, po ecën përpara dhe është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë për të garantuar siguri për të gjithë”, shtoi ai.

Burimi: Telegrafi