Fruthi përhapet në Kosovë, 50 raste vetëm brenda një muaji

0%

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se numri i rasteve të fruthit në Kosovë ka arritur në 112, pas regjistrimit të 50 rasteve të reja vetëm gjatë një muaji. Sipas IKShPK-së, më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja. Vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 13 raste të reja.

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 37 raste, ndërsa pasojnë Fushë-Kosova me 29, Ferizaj me 12, Kaçaniku me 7 dhe Obiliqi me 6 raste. Nga tri raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri. Nga një rast është regjistruar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti.

Për shkak të rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit në komunat më të prekura kanë intensifikuar aktivitetet gjatë javës së fundit. Në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, me vaksinën MMR janë vaksinuar gjithsej 147 fëmijë që kishin vonesa në vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta të fruthit, si temperatura e lartë, skuqjet në lëkurë, kolla, rrufa apo konjunktiviti, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.

Instituti ka theksuar se fruthi është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë komplikime, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët të institucioneve, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe komunitetit për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com