Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia kanë bërë përparim në publikimin e dokumenteve buxhetore, por sistemet e kontrollit dhe të pjesëmarrjes publike mbeten të dobëta, duke u lënë qeverive hapësirë të gjerë për të ndryshuar mënyrën e përdorimit të fondeve gjatë vitit.
Analiza rajonale e Anketës së Buxhetit të Hapur 2025, e publikuar nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit, tregon se transparenca dhe mbikëqyrja buxhetore janë në nivele mesatare në vitin 2025, ndërsa pjesëmarrja e publikut është tepër e ulët në të gjitha vendet e vlerësuara. Në anketë përfshihen Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.
Vendet vlerësohen me pikë nga 0 në 100 për transparencën, pjesëmarrjen publike dhe kontrollin që ushtrojnë parlamentet dhe institucionet e auditimit. Ndër vendet e rajonit, Shqipëria mori 64 pikë nga 100 për transparencën buxhetore, duke kaluar pragun prej 61 pikësh që konsiderohet i mjaftueshëm për të mbështetur një debat publik të informuar, raporton Monitor.al .
Rezultati është përmirësuar në krahasim me vitin 2023, kryesisht për shkak të publikimit në internet të Buxhetit të Qytetarëve dhe shtimit të informacionit për të ardhurat dhe shpenzimet në rishikimin e mesit të vitit. Serbia mori 53 pikë për transparencën, duke mbetur nën pragun e informacionit të mjaftueshëm.
Ajo shënoi vetëm 2 pikë për pjesëmarrjen e publikut dhe 57 pikë për mbikëqyrjen buxhetore. Në fund të renditjes rajonale ndodhet Bosnjë-Hercegovina. Në anketën e mëparshme të vitit 2023, vendi kishte vetëm 27 pikë për transparencën, pas një rënieje të vazhdueshme nga 50 pikë në vitin 2012.
Dobësitë lidhen me mungesën ose përmbajtjen e kufizuar të disa dokumenteve kryesore buxhetore dhe me informacionin e pamjaftueshëm mbi pozicionin financiar të qeverisë dhe ndikimin e politikave te grupet e ndryshme të popullsisë. Mali i Zi, i përfshirë për herë të parë në anketë në vitin 2023, mori në vitin 2025 48 pikë për transparencën, 13 për pjesëmarrjen dhe 74 për mbikëqyrjen.
Kjo tregon një kapacitet relativisht të mirë të institucioneve kontrolluese, por mundësi të pakta që qytetarët të ndikojnë në hartimin dhe zbatimin e buxhetit. Edhe Maqedonia e Veriut ka pasur historikisht rezultate të dobëta në transparencë, ndonëse raporti i vitit 2025 evidenton përparim në pjesëmarrjen publike.
Një nga praktikat pozitive të vendit është portali qeveritar “Open Finance”, i cili u mundëson përdoruesve të ndjekin gjatë vitit rrjedhën e pagesave drejt ministrive, programeve dhe njësive vendore. Dobësi në përfshirjen e qytetarëve Pavarësisht diferencave në transparencë, të gjitha vendet e rajonit kanë rezultate të dobëta në përfshirjen e qytetarëve.
Mundësitë për pjesëmarrje janë zakonisht sporadike, të kufizuara në fazat fillestare të hartimit të buxhetit dhe jo të mbështetura në mekanizma të qëndrueshëm ligjorë. Asnjë nga nga vendet nuk ka një mekanizëm formal që i lejon publikut të japë mendime gjatë zbatimit të buxhetit, në kohën kur vendosen rialokimet, shtyhen projektet ose ndryshojnë prioritetet e shpenzimeve.
Kosova veçohet si i vetmi vend që ofron një mekanizëm pjesëmarrjeje të konsideruar gjithëpërfshirës për komunitetet që tradicionalisht kanë qenë të përjashtuara. Megjithatë, edhe atje hapësirat për përfshirje gjatë gjithë ciklit buxhetor mbeten të kufizuara.
Në shumicën e vendeve, parlamentet organizojnë seanca formale dëgjimore, por mundësitë për dialog dhe për të ndikuar realisht në vendime janë të pakta. Institucionet e auditimit ofrojnë disi më shumë hapësirë për kontributin e publikut, por këto praktika nuk janë të njëtrajtshme.
Një tjetër dobësi rajonale është raportimi i fragmentuar për risqet fiskale, veçanërisht ato që lidhen me ndërmarrjet shtetërore, garancitë publike dhe borxhin. Serbia është i vetmi vend që publikon në projektbuxhet të gjitha transfertat e shtetit për ndërmarrjet publike.
Vetëm Serbia dhe Mali i Zi japin informacion të plotë mbi garancitë qeveritare që mund të kthehen në detyrime për buxhetin në të ardhmen. Përbërja e borxhit publik, e rëndësishme për të kuptuar ekspozimin ndaj ndryshimit të normave të interesit dhe kursit të këmbimit, publikohet vetëm nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova.
Asnjë nga vendet e rajonit nuk paraqet në projektbuxhet parashikime fiskale me horizont dhjetëvjeçar. Sipas raportit, kjo e bën të vështirë vlerësimin nëse qeveritë po zhvendosin kostot e politikave të sotme te buxhetet e ardhshme.
Auditimet publikohen, por rekomandimet nuk zbatohen sistematikisht Parlamentet dhe institucionet supreme të auditimit në rajon kanë mandate formale për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të parave publike. Auditorët publikojnë rregullisht raporte dhe mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve, por kontrolli shpesh përfundon me publikimin e gjetjeve.
Kosova është i vetmi vend që ka një sistem të qartë përmes të cilit qeveria raporton mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi raportojnë mbi zbatimin e një pjese të rekomandimeve, ndërsa Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Turqia nuk kanë raportim sistematik nga ekzekutivi.
Në mungesë të reagimit të qeverive, rekomandimet që synojnë uljen e rrezikut të korrupsionit, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar mund të mbeten pa pasoja konkrete. / B.Hoxha Burimi: Burimi: Anketa e Buxhetit të Hapur 2025, Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit
