Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se në kuadër të kontrolleve dhe analizave të produkteve ushqimore janë konstatuar raste të pranisë së vajit të palmës në disa produkte të qumështit që shiten në tregun e Kosovës.
Muja ka thënë se pas publikimit të informacioneve për produktet ushqimore kishte nxjerrë vendim dhe i ishte drejtuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të inspektojë tregun, t’i analizojë produktet dhe, nëse ato rezultojnë të papërshtatshme, të tërhiqen nga tregu.
“Pas publikimit të ushqimit, ditën kur e kam nxjerrë vendimin, i jam drejtuar AUV-së që të inspektojë tregun, t’i analizojë produktet dhe, në pajtim me vlerësimin, produktet që janë të papërshtatshme të tërhiqen nga tregu”, ka deklaruar Muja.
Ai ka thënë se AUV-së i kishte kërkuar të identifikojë produktet e aprovuara dhe ato të paprovuara, si dhe të përcaktojë se cilat produkte kanë rezultuar të papërshtatshme për konsumatorët.
“AUV-së i kam kërkuar që të identifikojë cilat produkte kanë qenë të aprovuara dhe cilat jo, sa produkte kanë rezultuar të papërshtatshme për konsumatorët, të bashkëpunojë me institucionet e tjera dhe, sipas rastit, t’i referohet Prokurorisë. Brenda shtatë ditësh kam kërkuar raport se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.
Muja: Në katër lloje qumështi është gjetur vaj palme Duke folur për rezultatet e kontrolleve, Muja ka deklaruar se në katër lloje të qumështit është konstatuar prania e vajit të palmës. Ai ka përmendur qumështin “Land”, “Garden Milk” dhe produkte të tjera, ndërsa ka sqaruar se për disa produkte të tjera të përmendura prej tij, prania e vajit të palmës nuk është konstatuar nga AUV-ja.
“Mostra 2937 është mostër e qumështit që ka vaj palme. Bëhet fjalë për qumështin ‘Land’ me vaj palme, të prodhuar nga ‘Abrazen’”, ka deklaruar Muja. Sipas tij, prania e vajit të palmës është konstatuar edhe në “Garden Milk”.
Muja ka përmendur gjithashtu produktet “Holla”, “Bavista” dhe “Makiaton”, duke thënë se ato përmbajnë vaj palme, por ka sqaruar se për këto produkte kjo nuk është konstatuar nga AUV-ja. Kontrolli i depove dhe importi i qumështit pluhur Muja ka folur edhe për të dhënat e Doganës lidhur me importin e qumështit pluhur, duke thënë se importet nga disa subjekte kanë shënuar rritje të madhe.
“Bazuar në të dhënat e Doganës, është komentuar importi i madh i qumështit pluhur nga disa subjekte. Në vitin 2022, krahasuar me vitet paraprake, ka arritur kulmin importi dhe koncentrimi i qumështit pluhur”, ka deklaruar ai. Sipas Mujës, të dhënat e importit janë ndërlidhur me kontrollet në depot e operatorëve ekonomikë.
“Gjatë kontrollit zyrtar, në depot e ‘Abrazen’ janë konstatuar 26 produkte me vaj palme”, ka thënë Muja. Ai ka shtuar se më 5 të muajit është bërë prezantimi i gjetjeve në AUV, ku, sipas tij, është konstatuar një seri mospërputhjesh në produkte të ndryshme të bylmetit. “Është konstatuar një seri mospërputhjesh. Qumështi, djathi, maza, gjiza – nuk u është ndërruar emri.
Qumështi i lopës është zëvendësuar me palmën”, ka thënë Muja. “Konsumatori duhet ta dijë çfarë po blen” Muja ka kritikuar mënyrën e deklarimit të produkteve, duke theksuar se konsumatori duhet të informohet qartë për përbërjen e produktit që blen. “Nuk është e drejtë që të mashtrohen konsumatorët. Konsumatori i ka blerë produktet duke menduar se është qumësht”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, edhe përkufizimi i qumështit nuk lejon që konsumatori të mbahet në paqartësi lidhur me përbërjen. “Qumështi është produkti që nxirret nga lopa. Kështu e definon Kosova dhe kështu e definon edhe Evropa qumështin. Kur i hidhet vaj bimor dhe konsumatori nuk e di, nuk është në rregull”, ka thënë Muja.
Ai ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të identifikojnë saktësisht produktet dhe të ndërmarrin masat e nevojshme. “Për qumështin nuk ka kompromis. Unë i kam kërkuar AUV-së të identifikojë saktë se për cilin qumësht bëhet fjalë, që ne, si ministri dhe si konsumatorë, ta dimë cili ishte ai qumësht që është prodhuar dhe shitur në Kosovë”, ka deklaruar Muja.
Kërkon largimin e produkteve nga tregu Muja ka pretenduar se disa produkte vazhdojnë të jenë në shitje edhe pas gjetjeve të prezantuara dhe ka kërkuar ndërhyrjen e inspektoratit. “E keni parë këto ditë në shitje. I është ndërruar emri, nuk ka sens. Është ‘Abrazen’ dhe vazhdon të shitet”, ka thënë ai. “Inspektoratit të tregut i kërkoj që ta heqë nga tregu”, ka deklaruar Muja.
Ai ka theksuar se qëllimi i institucioneve duhet të jetë zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e konsumatorëve. “Nuk ka asnjë motiv tjetër përpos zbatimit të ligjit për ushqimin. Ky është motivi ynë i vetëm: ta zbatojmë ligjin dhe t’i mbrojmë konsumatorët”, ka thënë Muja. Në fund, ai ka paralajmëruar se çështjen do ta adresojë edhe te organet e drejtësisë.
“Pas kësaj konference do t’i drejtohem Prokurorit të Shtetit”, ka deklaruar Muja.
