Rafael Leao ka ndryshuar qëndrim për të ardhmen e tij. Sulmuesi portugez tani synon të vazhdojë aventurën me Milanin, edhe pse klubi kuqezi vazhdon ta konsiderojë të transferueshëm. E ardhmja e Rafael Leao mbetet një nga çështjet më të diskutuara në ambientin e Milanit. Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, sulmuesi portugez ka ndryshuar qëndrim dhe nuk e sheh më largimin si prioritet.
Pas disa rasteve kur kishte shprehur dëshirën për të ndryshuar skuadër, Leao tani është i prirur të qëndrojë te Milani. Madje, raportimet bëjnë të ditur se ai ka rigjetur edhe buzëqeshjen në marrëdhëniet me shokët e skuadrës. Megjithatë, qëndrimi i Milanit nuk ka ndryshuar.
Drejtuesit kuqezi vazhdojnë ta konsiderojnë Leao një futbollist të transferueshëm dhe janë të gatshëm të shqyrtojnë ofertat që mund të mbërrijnë për të. Interesimi më konkret vjen aktualisht nga Turqia, ku Galatasaray ka qenë në kontakt prej disa ditësh me Milanin dhe ka paraqitur disa oferta.
Të gjitha janë refuzuar deri tani, pasi klubi italian nuk dëshiron të marrë në konsideratë propozime nën 50 milionë euro. Nëse do të largohej nga Milani, Leao do të preferonte një transferim në Premier League ose në La Liga. Deri tani, megjithatë, nuk kanë mbërritur oferta konkrete nga klubet e këtyre dy kampionateve.
Dëshira e portugezit për të qëndruar mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e situatës, por dera për një largim nga Milani nuk është mbyllur ende. E ardhmja e numrit 10 kuqezi do të varet si nga vullneti i lojtarit, ashtu edhe nga ofertat që mund të mbërrijnë në ditët e fundit të merkatos.
