Shkëndija nga Tetova ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke mposhtur Vardarin me rezultat 2:0 në derbin e Xhiros së Dytë. Heroi i takimit ishte sulmuesi i krahut Fabrice Tamba. I inkuadruar në lojë në minutën e 46-të, sulmuesi realizoi dy gola vendimtarë në minutat 52’ dhe 72’, duke i vulosur tre pikët e reja për kuqezinjtë.
Pas përfundimit të ndeshjes, Tamba u shpreh i lumtur për dygolëshin dhe performancën e skuadrës: “Mund të them se ishte një ndeshje e vështirë për shkak të kushteve klimatike, sepse ishte shumë nxehtë. Por ne bëmë mirë, u futëm në pjesën e dytë me një mendësi tjetër.
Hymë në fushë dhe u treguam atyre se donim ta fitonim këtë ndeshje, dhe këtë edhe bëmë.” Tamba përsëriti suksesin e dy sezoneve më parë, kur po ashtu kishte shënuar në debutim ndaj të njëjtit kundërshtar.
I pyetur për këtë ecuri ndaj Vardarit, ai nënvizoi se më e rëndësishmja është përulësia dhe përqendrimi te sfida e radhës: “Nuk do të thosha se më konvenon kjo skuadër, thjesht hyra brenda dhe tregova qëndrim, ashtu siç kërkoi trajneri dhe siç prisnin të gjithë nga unë. Këtë edhe bëra. Sigurisht që jam i lumtur, shënove dy herë.
Siç e patë, vitin e kaluar ishte e njëjta gjë, shënova në ndeshjen time të parë, ishte i njëjti derbi. Por nga tani e tutje, mendoj se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të fokusohemi te e enjtja, sepse kemi një ndeshje shumë të rëndësishme.” Sa i përket ndikimit të kësaj fitoreje para ndeshjes evropiane në mesjavë, heroi i derbit theksoi rolin e tifozëve kuqezi: “Mendoj se po, sigurisht.
Sepse për ndeshjen e radhës na nevojitet një motivim i jashtëzakonshëm. Duhet të jemi shumë të fortë mendërisht. Na nevojiten të gjithë. Nuk e patëm mundësinë t’i kishim tifozët tanë me ne, por do t’i kemi të enjten dhe do të japim më të mirën tonë. Kjo fitore e sotme do të na ndihmojë shumë.”
