Viktor Gyokeres ka bërë të qartë se Arsenali e sheh me seriozitet maksimal përballjen ndaj Manchester Cityt në Superkupën e Anglisë, duke insistuar se trofeu është një objektiv i rëndësishëm për skuadrën londineze. Arsenali dhe Manchester City do të përballen në Cardiff, në stadiumin “Principality”, në ndeshjen që tradicionalisht shënon startin e sezonit të ri në futbollin anglez.
“City kundër nesh? Miqësore? Nuk e di çfarë mendojnë të tjerët, por ne sigurisht që duam ta fitojmë atë ndeshje”, deklaroi Gyokeres. Sulmuesi suedez theksoi se një trofe në fillim të sezonit do t’i jepte skuadrës një shtysë të madhe psikologjike. “Kur fiton trofe, fiton edhe besim dhe merr një shtysë për gjithçka që vjen më pas. Pra, janë vetëm gjëra pozitive.
Duam të sigurohemi që jo vetëm ta fitojmë atë trofe, por edhe të jemi gati për sezonin e ri”, u shpreh ai. Arsenali nuk ka pasur një përgatitje ideale gjatë fazës parasezonale, pasi ka pësuar dy humbje radhazi ndaj Real Betisit dhe Borussia Dortmundit, duke pranuar nga tre gola në secilën ndeshje.
Megjithatë, Gyokeres beson se skuadra do të hyjë në sezonin e ri me një motivim edhe më të madh. I pyetur nëse sheh të njëjtën dëshirë në sytë e trajnerit Mikel Arteta, përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe domethënëse: “Edhe më shumë uri për sukses!”
