Terry e Lampard rrëfejnë largimin e Mourinhos

0%

John Terry dhe Frank Lampard kanë rrëfyer detaje emocionuese nga largimi i Jose Mourinhos nga Chelsea, duke zbuluar se ndarja e trajnerit portugez me klubin në vitin 2007 kishte shkaktuar shumë dhimbje te futbollistët.

Mourinho kishte udhëhequr Chelsean drejt dy titujve të Premierligës, dy Kupave të Ligës dhe një FA Cup, përpara se të largohej nga klubi pas rritjes së tensioneve me pronarin Roman Abramovich dhe drejtuesit e klubit. Largimi i tij u njoftua në orët e para të 20 shtatorit 2007, kur Chelsea bëri të ditur se kishte ndërprerë bashkëpunimin me Mourinhon me “pëlqim të ndërsjellë”.

Në një dokumentar të ri me tri pjesë të Netflix-it për Mourinhon, Lampard ka rrëfyer se largimi i trajnerit ishte një moment jashtëzakonisht emocional për skuadrën. “E mbaj mend kur erdhi në dhomën e zhveshjes dhe na tha se ishte shkarkuar. Nuk mund të mendoja për asgjë tjetër përveç asaj se sa shumë kishte ndihmuar në karrierën time dhe sa shumë e doja të punoja me të.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kishte lot dhe kjo nuk është diçka normale në dhomën e zhveshjes kur largohet një trajner”, ka thënë Lampard. Edhe John Terry ka treguar se ishte thellësisht i prekur nga largimi i Mourinhos, madje duke pranuar se edhe sot ndjen një lloj përgjegjësie për mënyrën se si përfundoi ajo periudhë. “Do të largohesha nga fusha në një arkivol për të.

Kishte burra të rritur, me lot që u rridhnin nëpër fytyrë, pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte”, theksoi Terry. “Edhe sot mendoj se ishte faji im. Kur barazuam ndeshjen e Ligës së Kampionëve, lojtari që mbuloja unë shënoi. Nëse nuk do ta kisha lejuar të shënonte, a do të kishte qëndruar Mourinho edhe për disa vite? Kush e di. Ende ndihem disi përgjegjës për këtë.

Ishte zhgënjyese mënyra se si përfundoi gjithçka. E kam dashur dhe e kam adhuruar Mourinhon dhe, sinqerisht, isha më i mërzitur se kushdo tjetër”, ka deklaruar Terry. Mourinho u rikthye te Chelsea në vitin 2013, pas periudhës së tij te Real Madridi, dhe arriti të fitojë edhe një titull të Premierligës dhe një Kupë të Ligës, përpara se të shkarkohej në dhjetor të vitit 2015.

Që atëherë, portugezi nuk është rikthyer më në “Stamford Bridge”, ndonëse vazhdon të jetë aktiv në botën e trajningut dhe një rikthim i tij te Chelsea nuk është përjashtuar plotësisht.

Burimi: Bota Sot