Konferenca e Ambasadorëve: Kosova konfirmon rreshtimin krah SHBA-së e

0%

Me mesazhe për përkushtimin ndaj aleancës perëndimore dhe përballjen me sfidat rajonale të sigurisë, në Prishtinë kanë nisur punimet e edicionit të 9-të të Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës.

Në prani të krerëve më të lartë institucionalë, më , hapja e takimit vjetor vuri theksin te kontributi i Kosovës në paqen globale—përfshirë mbështetjen e iniciativave të SHBA-së dhe sanksioneve ndaj Rusisë—si dhe te domosdoshmëria e rritjes së presionit ndërkombëtar ndaj Beogradit zyrtar.

Nën organizimin e Ministrisë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kjo konferencë i zhvillon punimet nga data 10 deri më . Tema qendrore e këtij edicioni është “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim” , Hapja zyrtare e takimit vjetor u bë në praninë e krerëve më të lartë institucionalë, trupit diplomatik të Kosovës dhe personaliteteve të tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i MPJD-së, Glauk Konjufca, organizator i kësaj konference, në fjalën e tij hyrëse, tha se në këto kohë luftërash, konfliktesh dhe paqëndrueshmërive, Kosova ka qëndruar e palëkundur përkrah Perëndimit.

Konjufca tha se rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës, si shtet sovran, dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse.

“Po ashtu, Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme.

Anëtarësimi në Bordin e Paqes i themeluar nga Presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza në kuadër të Trupës Paqeruajtëse janë dëshmi e orientimit dhe e lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti, që e kemi”- tha ai.

Konjufca tha se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresive, ndërsa përmendi edhe bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me Kinën dhe qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Ai tha se Serbia vazhdon të mos e mbështesë asnjë sanksion ndaj Federatës Ruse.

“Deklarata e ministres serbe është deklaratë që duhet të marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por edhe nga aleatët tanë që kanë kontribuar në Kosovë”- shtoi ai. Ai tha se kanë forcuar partneritetin me shumë shtete si Belgjika, Finlanda, Norvegjia, Irlanda dhe shumë të tjera, të cilat kanë ngritur subjektivitetin e Kosovës.

Konjufca tha se kanë pasur kontakte dhe janë munduar të komunikojnë me shtetet mosnjohëse në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. “Aty ku nuk na njohin jemi munduar të vendosim komunikim, e aty ku kemi, jemi munduar të ndërtojmë marrëdhëniet më shumë”- tha ai.

Ai përmendi rëndësinë që kanë marrëveshjet për ngritjen e misionit diplomatik Huston të SHBA-së dhe për konsullatën e nderit në Japoni. “Do vazhdojmë të punojmë që Kosova mos të jetë pjesë e tryezave ndërkombëtare, por të jetë aktore në procese”- shtoi ai.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër përbëjnë shqetësim serioz për Kosovën dhe duhet të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.

Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, Haxhiu u ka bërë thirrje diplomatëve kosovarë që t’i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat e mundshme të çdo ndërhyrjeje në rrjedhat ujore ndërkufitare.

Ajo ka theksuar rëndësinë strategjike të sistemit Ibër-Lepenc dhe liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. “Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë ndërkombëtarë janë deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi strategjik për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës”- ka thënë Haxhiu në hyrje të konferencës të ambasadorëve.

Sipas saj, çdo ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare nuk do të ishte vetëm çështje teknike, por do të mund të kishte pasoja në sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës.

“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë”- ka deklaruar ajo.

Haxhiu u ka kërkuar diplomatëve kosovarë që këto deklarata t’i përcjellin në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për pasojat e mundshme të një veprimi të tillë.

“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla, që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”- ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kosova pret nga partnerët ndërkombëtarë që çdo veprim që mund të rrezikojë burimet ujore jetike të vendit të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Duke folur për raportet me Serbinë, Haxhiu ka deklaruar se Beogradi duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur në vend gjatë luftës”- ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, adresimi i këtyre çështjeve është i domosdoshëm për çdo proces që synon normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Haxhiu ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-1999.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë edhe në një lokacion tjetër të dyshuar për varrezë masive, duke kërkuar nga Serbia që të hapë arkivat për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. “Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende pret përgjigje.

Prandaj, duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hapë arkivat”- ka deklaruar Haxhiu. Ajo ka vlerësuar se çështja e personave të zhdukur dhe përgjegjësia për krimet e luftës duhet të mbeten pjesë e vazhdueshme e komunikimit të diplomacisë kosovare me partnerët ndërkombëtarë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është vetëm modernizim i ushtrisë, por pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike, të cilën e lidhi me synimet hegjemoniste të Beogradit në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës.

“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë përfshijnë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë.

E veçanërisht Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmojnë vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e kufijve të saj”- tha ai.

Kurti u ka bërë thirrje diplomatëve të Kosovës që të jenë të përgatitur për përballjen me narrativat e rreme dhe dezinformimin, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të bazuar në fakte. “Si diplomat, shpesh gjendeni në vijën e parë të ballafaqimit me narrativat e rreme. Dhe në përpjekje për të promovuar të vërtetën, në një mjedis dixhital gjithnjë e më të kontestuar.

Manipulimet dhe ndërhyrja e huaj në informacion ndryshon edhe mënyrën e të bërit diplomacie. Diplomatët e ditëve të sotme duhet të merren edhe me menaxhimin e informacionit, edhe me luftimin e dezinformimit, e edhe me ruajtjen e besimit nga publiku”- shtoi ai.

Sipas Kurtit, Kosova ka zgjedhur forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë dhe thellimin e partneriteteve ndërkombëtare, duke e konsideruar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n si shtyllë të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe stabilitetin rajonal.

Ai shtoi se aftësia e një vendi për të avancuar interesat e tij në arenën ndërkombëtare nuk varet vetëm nga fuqia e tij ushtarake dhe ekonomike, por edhe nga kapaciteti i tij për të krijuar partneritete, për t’i mirëmbajtur ato, për t’iu përmbajtur normave ndërkombëtare dhe për t’i promovuar ato.

Agjenda e konferencës përmban një seri panelesh e diskutimesh tematike: 10 .08.2026: Hapja e konferencës, takimi me lidershipin, takimi i punës me Sekretarin e Përgjithshëm dhe Diskutimi I mbi sigurinë, qëndrueshmërinë dhe kërcënimet hibride. : Paneli I mbi zgjerimin e BE-së dhe sigurinë evropiane e rajonale, punëtori gjeografike, Diskutimi II mbi diplomacinë ekonomike dhe sessioni B2A – diskutim dhe rrjetëzim mes shefave të misioneve dhe përfaqësueve të sektorëve të ndryshëm. 12 .08.2026: Diskutimi III mbi integrimin në BE dhe mekanizmat rajonalë (përfshirë panelet për integrimin e Malit të Zi dhe rolin e faktorit shqiptar, si dhe rolin e diasporës), duke përmbyllur punimet me ceremoninë zyrtare.

Organizimi i kësaj konference përcaktohet sipas Rregullores nr. 01/2022 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës së MPJD-së dhe është pjesë e Planit Vjetor të Punës. Gjithashtu, sipas Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, përfaqësuesit diplomatikë shërbejnë në të njëjtin mision për një periudhë katërvjeçare, ose sipas nevojave të Ministrisë dhe diskrecionit të Ministrit.

Burimi: Kallxo