Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në mbrëmje në Bavari të Gjermanisë, ku tri gra kanë humbur jetën, ndërsa një burrë ka mbetur i plagosur rëndë. Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës në rrugën federale B470, pranë Dietersheimit, në rrethin Neustadt an der Aisch–Bad Windsheim.
Dyshohet se një 36-vjeçar, i cili po drejtonte një veturë të tipit Mercedes, kaloi në korsinë e kundërt rreth 500 metra para hyrjes në fshatin Dottenheim. Automjeti i tij u përplas ballë për ballë me një Opel, në të cilin ndodheshin tri gra. Përplasja ishte aq e fuqishme sa të dyja veturat dolën nga rruga dhe përfunduan në arat përreth.
Një zëdhënës i zjarrfikësve e përshkroi vendin e ngjarjes si një “fushë rrënojash”. Drejtuesja 73-vjeçare e Opel-it dhe dy pasagjeret, të dyja të moshës 69-vjeçare, mbetën të bllokuara brenda automjetit. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, ato nuk arritën t’u mbijetonin plagëve dhe u shpallën të vdekura në vendngjarje.
Shoferi 36-vjeçar u nxor nga vetura i plagosur rëndë dhe u dërgua me helikopter në spital. Testi paraprak i alkoolit tregoi se ai kishte më shumë se një promil alkool. Policia ka nisur hetimet ndaj tij, ndër të tjera, për dyshimin e vrasjes nga pakujdesia. Një ekspert është angazhuar për të rindërtuar rrethanat e sakta të aksidentit, ndërsa rruga qëndroi e mbyllur për disa orë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin apo shtetësinë e viktimave. Bild, Süddeutsche Zeitung
