Ekskluzive| Rrahje për fëmijët në Han të Elezit: Tre burra sulmojnë

0%

Një konflikt familjar rreth marrjes së fëmijëve ka eskaluar në një incident serioz të dielën mbrëma në Han të Elezit, ku një person dyshohet se është sulmuar nga tre burra, i është goditur vetura, ndërsa njëri nga të arrestuarit ka arritur të arratiset nga stacioni policor.

Sinjali mëson se në rast dyshohen Endrit Ramuka rreth 21-vjeç, Shemsedin Ramuka rreth 43 vjeç dhe Sherif Ramuka, ndërsa viktimë është F. Z. rreth 55-vjeç nga Gjilani. Ngjarja ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës , në rrugën “ Isen Suma” .

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Zuka kishte shkuar në Han të Elezit për t’i marrë fëmijët e djalit të tij, i cili ishte divorcuar rreth një vit më parë nga vajza e familjes Ramuka. Kujdestaria e fëmijëve i ishte besuar nënës, ndërsa, sipas raportit, prindërit kishin marrëveshje që fëmijët kohë pas kohe ta takonin edhe babanë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por ardhja e Z. te shtëpia e familjes Ramuka dyshohet se ka përfunduar me përplasje. Sipas të dhënave të rastit, rruga i është bllokuar me veturë, ndërsa më pas F.Z. dyshohet se është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit, duke pësuar lëndime trupore. Gjatë incidentit, Endrit Ramuka dyshohet se e ka goditur me veturë edhe automjetin e viktimës. Por ngjarja nuk ka përfunduar aty.

Pas shoqërimit në Polici, Endrit Ramuka ka arritur të ikë nga Stacioni Policor, derisa ndodhej në ndalim. Rreth gjysmë ore më vonë, ai është kthyer vullnetarisht. Për arratisjen është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili ka kërkuar që zyrtarët policorë që ndodheshin në detyrë të përpilojnë raporte me shkrim lidhur me rrethanat në të cilat i dyshuari arriti të largohej.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Endrit Ramuka është ndaluar për 48 orë, ndërsa Shemsedin Ramuka është liruar në procedurë të rregullt. I dyshuari i tretë, Sherif Ramuka, ndodhet ende në arrati, sipas informacioneve të rastit. Rasti po hetohet për “Lëndim të lehtë trupor ”, “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm ” dhe “ Arratisje të personit të privuar nga liria”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com