Mikel Arteta ka konfirmuar se Arsenali vazhdon të jetë aktiv në tregun e transferimeve, pasi klubi londinez synon të përforcojë skuadrën para mbylljes së afatit kalimtar. Pas humbjes 3-2 ndaj Borussia Dortmundit në “Emirates Cup”, trajneri i Arsenalit foli për strategjinë e klubit në merkato dhe la të kuptohet se mund të ketë ende transferime të reja.
“Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë. Nëse është në tregun e transferimeve lojtari i duhur për ne, mezi presim ta realizojmë”. Arsenali ka qenë mjaft aktiv gjatë afatit kalimtar të verës 2026, duke përforcuar disa pozicione me transferime të rëndësishme.
Ndër afrimet kryesore është mesfushori Bruno Guimaraes, i cili u transferua nga Newcastle United, si dhe anësori grek Christos Tzolis, që iu bashkua “Topçinjve” nga Club Brugge. Arsenali gjithashtu e bëri të përhershëm transferimin e qendërmbrojtësit Piero Hincapie pas huazimit të tij nga Bayer Leverkusen.
Në portë, londinezët kanë afruar edhe Illan Meslier nga Leeds United, duke shtuar konkurrencën dhe alternativat në skuadër. Megjithatë, deklarata e Artetës tregon se Arsenali nuk e konsideron të mbyllur merkaton dhe mund të bëjë edhe një tjetër goditje para fundit të afatit kalimtar./ Telegrafi
