Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, pritet të transferohet te Liverpooli në formë huazimi për sezonin 2026/27, me marrëveshjen që pritet të finalizohet brenda 24 orëve të ardhshme. Barcelona ka dhënë dritën jeshile për largimin e 27-vjeçarit, i cili nuk konsiderohet më titullar i rregullt në skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick.
Liverpooli pritet të mbulojë pagën e plotë të Araujos gjatë periudhës së huazimit në “Anfield”, ndërsa marrëveshja përfshin edhe një opsion jo të detyrueshëm blerjeje në vlerë prej 55 milionë eurosh. Araujo nuk ishte pjesë e skuadrës së Barcelonës në fazën përgatitore në Itali, ndërsa Flick është pyetur për të ardhmen e mbrojtësit pas ndeshjeve miqësore.
Trajneri gjerman ka konfirmuar se Araujo është i kënaqur me mundësinë e transferimit në Angli. “Është një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist fantastik. Por stili i tij i lojës është ndryshe nga ai që preferoj unë. Ai është i fuqishëm dhe i shpejtë. Është për të ardhur keq, pasi ka qenë e vështirë ta përfshija aq shumë sa do të doja”, ka deklaruar Flick.
Ai ka shtuar se ka biseduar me Araujon për situatën e tij dhe se lojtari ishte në gjendje të mirë kur u largua. “Ka pasur vështirësi për shkak të gabimeve të së kaluarës. Kemi biseduar. E pashë që ndihej shumë mirë kur u largua dhe i uroj gjithë të mirat. Ndryshimet janë pjesë normale e jetës dhe futbollit”, ka thënë Flick.
Nëse marrëveshja përfundon me sukses, Araujo do t’i bashkohet Liverpoolit për sezonin e ardhshëm, me klubin anglez që do të ketë mundësinë ta blejë përfundimisht kartonin e tij për 55 milionë euro.
