Pas një pauze prej katër javësh që nisi pas Çmimit të Madh të Gjermanisë në Sachsenring, MotoGP u rikthye këtë fundjavë në Silverstone për raundin e 12-të të sezonit 2026. Por nëse rikthimi pritej të sillte një betejë të fortë për titullin, Sprinti i së shtunës solli një mesazh të qartë: Aprilia ishte në një tjetër nivel, duke siguruar një podium tërësisht të sajin.
Jorge Martín ishte i pakapshëm dhe e dominoi Sprintin nga fillimi deri në fund, duke marrë fitoren e tretë në Sprint këtë sezon. Pas tij u rendit Ai Ogura nga skuadra satelit e Aprilias, ndërsa Marco Bezzecchi kompletoi podiumin, duke i dhënë Aprilias renditjen historike 1-2-3, për herë të parë në një Sprint të MotoGP-së.
Me fitoren, Martín e zgjeroi avantazhin në krye të kampionatit ndaj Oguras në 17 pikë. Ndërkohë, për Marc Márquez ishte një e shtunë për t’u harruar. Piloti i Ducati-t vuajti gjatë gjithë garës me mungesën e gripit në pjesën e pasme dhe, pasi humbi disa pozicione në xhirot e fundit, e përfundoi Sprintin vetëm në vendin e nëntë, duke marrë vetëm një pikë.
Rezultati e zbret Márquez në vendin e katërt të klasifikimit, me 191 pikë, ndërsa Bezzecchi e parakaloi dhe ngjitet në vendin e tretë me 193. Pas Sprintit, Martín kryeson me 220 pikë, i ndjekur nga Ogura me 203, Bezzecchi me 193 dhe Márquez me 191.
Pra, një ditë që mund të kishte qenë një tjetër betejë e ngushtë në krye, përfundoi me një mesazh të fortë nga Aprilia dhe me Marc Márquez që humbi terren të rëndësishëm në luftën për titull. Por beteja e vërtetë vjen sot. Sprinti dha vetëm një pjesë të pikëve dhe të dielën në Silverstone zhvillohet gara kryesore.
Martín do të kërkojë ta kompletojë fundjavën perfekte, ndërsa Ogura dhe Bezzecchi synojnë ta kthejnë dominimin e Aprilias në një tjetër triumf. Për Márquez, sfida është shumë më e qartë: duhet reagim i menjëhershëm, nëse nuk dëshiron që Silverstone të kthehet në një goditje serioze për ambiciet e tij për titullin.
Garën kryesore të klasit premier në MotoGP, mund ta përcjellni drejtëpërdrejtë në ArtMotion Sport 2 nga ora (përfshirë edhe garat në dy klaset tjera: Moto2 – 12:15h dhe Moto3 – 15:30h).
