Jannik Sinner është në dilemë për pjesëmarrjen në Mastersin 1000 të Cincinnati-t, teksa stafi i tij po vlerëson me kujdes gjendjen e gjurit të djathtë. Numri 1 i botës nuk ka luajtur që prej finales së Wimbledonit dhe tani duhet të vendosë nëse rikthimi në fushë duhet të ndodhë në Ohio apo të shtyhet deri në US Open.
Sinner po rikuperohet nga një problem në gjurin e djathtë, që dyshohet se lidhet me mbingarkesën. Gjendja është përmirësuar gjatë ditëve të fundit falë fizioterapisë, ndërsa italiani ka vijuar edhe stërvitjen me intensitet të lartë. Megjithatë, kujdesi ndaj gjurit mbetet në qendër të vendimit.
Sinner u paraqit sërish në J Medical për trajtim, ndërsa plani i rikuperimit po ndiqet nga stafi mjekësor. Ai ka qëndruar në Torino për të shmangur udhëtimet e shpeshta dhe mund të shtyjë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Cincinnati nis të enjten dhe Sinner duhet të vendosë nëse do të jetë pjesë e turneut përpara shortit.
Nëse tërhiqet, mund të udhëtojë më vonë në SHBA vetëm për stërvitje dhe përgatitje për US Open. Një tjetër faktor është edhe kushtet e lojës në Cincinnati, ku temperaturat dhe lagështia e lartë mund të shtojnë ngarkesën fizike. Vitin e kaluar, pikërisht në këtë turne, Sinner u detyrua të tërhiqej në finalen ndaj Carlos Alcaraz.
Nga ana tjetër, mungesa në Cincinnati do të kishte edhe një kosto sportive. Sinner nuk do të luante asnjë ndeshje zyrtare që prej 12 korrikut, kur fitoi finalen e Wimbledonit, dhe do të mbërrinte në US Open pa konkurruar për rreth një muaj e gjysmë.
Kjo është dilema që po shqyrtohet nga Sinner dhe ekipi i tij: të rikthehet në Cincinnati për të marrë ritmin e garës apo të ruajë gjurin dhe të përqendrohet plotësisht te Grand Slami i fundit i sezonit. Vendimi pritet të merret para shortit të Cincinnati-t, ndërsa objektivi kryesor mbetet që Sinner të jetë në gjendjen më të mirë të mundshme për US Open, që nis më 30 gusht.
