Helikopterët vijojnë intensivisht ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e vatrave aktive të zjarrit në malin e Krujës, ndërsa qyteti po rikthehet gradualisht në normalitet pas një nate të vështirë. Si pasojë e zjarrit, është dëmtuar linja e tensionit të mesëm, duke lënë pa energji elektrike banorët e Lagjes 2 të qytetit të Krujës.
Ndërhyrja për rikthimin e furnizimit me energji pritet të vijojë pas sigurimit të zonës. Gjatë natës, flakët kërcënuan banesa dhe biznese, ndërsa dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në ullishte dhe pemë frutore. Nga zjarri është djegur edhe një magazinë biznesi. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo banesa të shkrumbuara.
Aktualisht situata në zonat e banuara është e qetë, ndërsa forcat në terren dhe dy helikopterët e Forcës Ajrore vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të mbetura.
