Një rast jo i zakonshëm i dhunës në familje është regjistruar në Gjakovë, ku një burrë është arrestuar pasi, në gjendje nervozizmi, dyshohet se ka marrë televizorin nga shtëpia dhe e ka dëmtuar me çekan. Sinjali mëson se i dyshuari është Y. K., rreth 46-vjeçar, ndërsa rasti është raportuar nga nëna e tij, D. K., rreth 73-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 7 gushtit, rreth orës , në rrugën “Tom Gjoka” në Gjakovë. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nënë e bir ndodheshin në shtëpi dhe po diskutonin rreth përgatitjes së ushqimit, kur i dyshuari, në shenjë nervozizmi, e ka marrë televizorin, e ka dërguar në garazh dhe dyshohet se e ka dëmtuar me çekan.
Sipas burimeve të Sinjalit, nuk ka pasur sulm fizik apo verbal ndaj nënës. Ajo nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor dhe, pas intervistimit, është kthyer në shtëpi, duke deklaruar se ndihej e sigurt. Viktima ka refuzuar gjithashtu mundësinë e kërkimit të urdhrit mbrojtës. Ndërkohë, Y. K. është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Dhunë në familje” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Rasti mbetet nën hetime. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
