Një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve në Vushtrri ka eskaluar në dhunë fizike, ku një burrë dyshohet se është sulmuar me një mjet të fortë metalik, ndërsa ish-bashkëshortja e tij ka përfunduar në ndalim policor. Sinjali mëson se e dyshuara është Rr. A., rreth 30-vjeçare, ndërsa viktimë e rastit është ish-bashkëshorti i saj, L. U., rreth 46-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 8 gusht, rreth orës , në rrugën “Selim Mernica” në Vushtrri. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e dyshuara kishte shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortit për ta takuar vajzën e saj. Gjatë qëndrimit aty, ajo kishte kërkuar përmes vajzës që ish-bashkëshorti t’i jepte një shumë parash.
Pasi ai kishte refuzuar, mes ish-bashkëshortëve kishte nisur një mosmarrëveshje verbale, e cila dyshohet se më pas ka eskaluar në sulm fizik. Sipas burimeve nga terreni, 30-vjeçarja dyshohet se e ka goditur ish-bashkëshortin me një mjet të fortë metalik, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa lidhur me ngjarjen është intervistuar edhe dëshmitari S.U., rreth 38-vjeçar. E dyshuara është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj saj është caktuar ndalimi prej 48 orësh. Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
