FIFA ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një “përpjekje të koordinuar dhe të vazhdueshme” për të dëmtuar organizatën dhe presidentin e saj, Gianni Infantino.
Reagimi i FIFA-s vjen pas një raportimi të Daily Telegraph, ku pretendohej se një grua me të cilën Infantino dyshohet se kishte pasur lidhje gjatë kohës kur ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, kishte marrë një pagesë largimi nga institucioni evropian. Një zëdhënës i FIFA-s ka deklaruar se Infantino i mohon fuqishëm këto pretendime dhe i konsideron ato “kategorikisht të pavërteta”.
Në deklaratën e saj, FIFA ka kritikuar publikisht raportimet që i konsideron të pabazuara. “Spekulimet dhe insinuatat nuk duhet të paraqiten si fakte”, thuhet në reagimin e FIFA-s. Ndërkohë, presioni ndaj Infantinos është rritur ndjeshëm nga UEFA dhe disa federata evropiane për shkak të projektit të dështuar FIFA Forward Enterprise (FFE).
Projekti parashikonte krijimin e një kompanie të re për menaxhimin e të drejtave komerciale dhe të biletave të FIFA-s, ku 21 për qind e saj do t’i shitej një kompanie private investimesh. UEFA ka deklaruar se ka humbur besimin te Infantino, ndërsa presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, ka bërë thirrje që zvicerano-italiani të japë dorëheqjen.
UEFA ka paralajmëruar gjithashtu se mundësia e bojkotimit të aktiviteteve të FIFA-s mbetet në tavolinë, pasi pretendon se nuk ka marrë garanci të mjaftueshme se projekti FFE nuk do të rikthehet. FIFA, megjithatë, thekson se Infantino është zgjedhur në mënyrë demokratike nga federatat anëtare dhe vazhdon ta ushtrojë mandatin e tij.
Mbështetja për presidentin e FIFA-s nuk mungon jashtë Evropës. Federata Meksikane e Futbollit ka dalë publikisht në mbështetje të Infantinos, ndërsa CONMEBOL ka deklaruar se do të kundërshtonte çdo përpjekje për largimin e tij pa një votim ku do të merrnin pjesë të gjitha 211 federatat anëtare të FIFA-s.
Edhe Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) e mbështet unanimisht Infantinon, me 54 federatat e saj anëtare në krah të presidentit të FIFA-s.
