Partia qeverisëse Tisza në Hungari ka nominuar Andras Baka, ish-kryetarin e Gjykatës Supreme, si kandidat për president të vendit. Baka u shkarkua nga posti në vitin 2012 nga qeveria e Viktor Orbanit, pasi kishte kritikuar publikisht reformat e saj në drejtësi.
Kandidatura u njoftua të shtunën nga kryeministri Peter Magyar dhe shihet si një tjetër hap i rëndësishëm i qeverisë së re për të dobësuar ndikimin e ish-kryeministrit Viktor Orban mbi institucionet shtetërore. “Tisza” fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të prillit, duke i dhënë fund një periudhe 16-vjeçare të dominimit politik të Orbanit dhe partisë së tij Fidesz.
Që prej ardhjes në pushtet, qeveria e re ka nisur një seri ndryshimesh që synojnë riorganizimin e institucioneve dhe rikthimin e pavarësisë së gjyqësorit.
Nominimi i Bakës vjen vetëm disa javë pasi parlamenti hungarez, me iniciativën e Tiszës, përdori një amendament kushtetues për të larguar nga detyra presidentin Tamas Sulyok, i cili ishte zgjedhur gjatë periudhës së qeverisjes së Orbanit. Baka, 73 vjeç, pritet të zgjidhet president të martën, pasi Tisza kontrollon shumicën kushtetuese në parlament.
Kandidatura e tij u miratua përmes një votimi të fshehtë brenda grupit parlamentar të partisë. Kryeministri Peter Magyar e cilësoi nominimin si “një nga vendimet më të rëndësishme” të Tiszës deri tani. Deputetët e partisë vlerësuan veçanërisht qëndrimin e Bakës për ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Sipas tyre, përvoja e tij do të jetë e rëndësishme në ndërtimin e asaj që e cilësojnë si “rendin e ri kushtetues” të Hungarisë. Megjithatë, opozita e Fidesz ka paralajmëruar se do të bojkotojë votimin. Partia e Orbanit e ka akuzuar qeverinë e re për përdorimin e “taktikave autoritare”, pretendime që Tisza i ka mohuar. Andras Baka ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor ndërkombëtar.
Ai shërbeu për dy mandate si gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, përpara se të zgjidhej në vitin 2009 në krye të Gjykatës Supreme të Hungarisë. Mandati i tij u ndërpre pas vetëm dy vitesh, pasi ai kundërshtoi publikisht disa prej reformave të qeverisë së Viktor Orbanit. Baka argumentonte se ndryshimet kërcënonin pavarësinë e gjyqësorit.
Çështja e shkarkimit të tij përfundoi më vonë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila vendosi se largimi nga detyra kishte shkelur të drejtat e tij për një gjykim të drejtë dhe lirinë e shprehjes. Këshilli i Evropës ka deklaruar më pas se Hungaria nuk e kishte zbatuar plotësisht vendimin.
Nëse zgjidhet president, Baka do të rikthehet në qendër të institucioneve shtetërore hungareze, këtë herë si një prej figurave kryesore të përpjekjes së Tiszës për të shkëputur institucionet nga trashëgimia politike e Orbanit.
