Sonte është zhvilluar ballafaqimi mes Cërvena Zvezdës së Beogradit dhe Novi Pazarit, në ndeshjen e javës së 4-të të Kampionatit të Serbisë në futboll. Në stadium u panë skena të turpshme. “Derisa ti e pret një nazist në Beograd, serbët po derdhin gjak në Kosovë”, ishte pankarta e turpshme e tifozëve famëkeq “Delija” të Zvezdës.
Ky mesazh u drejtua Vuçiqit pasi priti presidentin e Ukrainës, Zelenskyn. “Skena të turpshme në Marakana”, ka shkruar media kroate “Tportal”. “Tifozët e Cërvena Zvezdës organizuan skena të turpshme gjatë ndeshjes së javës së katërt të Superligës serbe kundër Novi Pazarit në stadiumin ‘Rajko Mitiç’ në Beograd”, shkruan më tej.
Në tribunën veriore, tifozët vendas shpalosën një koreografi kushtuar kriminelit të luftës Ratko Mladiçit. “Një banderolë me imazhin e Mladiçit u shfaq në tribuna, të gjitha të shoqëruara me thirrje ofenduese dhe nacionaliste. Gjithashtu dëgjoheshin vargje që lavdëronin Mladiçin dhe mesazhe urrejtjeje drejtuar kombeve të tjera. Koreografia dhe thirrjet shkaktuan reagime të shumta negative.
Mladiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykatat Ndërkombëtare për gjenocid”, shkruan mes të tjera media kroate.
