Kanceri i prostatës nga i cili vuan ish-presidenti amerikan Joe Biden është përhapur në pjesë të tjera të trupit, përfshirë kockat, ndërsa sëmundja po i shkakton dhimbje. Këtë e ka bërë të ditur djali i tij, Hunter Biden, gjatë një interviste të gjerë për BBC, ku foli për gjendjen shëndetësore të babait të tij.
Hunter u emocionua teksa përshkroi vështirësitë me të cilat po përballet familja. “Kanceri është përhapur, ka metastazuar në kockat e tij dhe më tej. Është shumë e dhimbshme”, tha ai. Joe Biden, 83 vjeç, ishte presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara dhe mosha e tij ishte një nga çështjet kryesore që ngriti shqetësime gjatë katër viteve të tij në detyrë.
Ish-presidenti dhe këshilltarët e tij në Shtëpinë e Bardhë u përballën me kritika për atë që kundërshtarët e tij e konsideruan si përpjekje për të minimizuar ose fshehur përmasat e problemeve të tij shëndetësore. Debati u ashpërsua veçanërisht pas përballjes televizive me Donald Trump, pas së cilës Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë.
Biden e bëri publike diagnozën me kancer në maj të vitit 2025, më pak se katër muaj pasi kishte përfunduar mandatin presidencial. Hunter Biden tha se lajmi kishte qenë i vështirë për të gjithë familjen. “Është vërtet e trishtueshme ta shohësh”, tha ai, duke shtuar se do të dëshironte që babai i tij “të ankohej më shumë”, pasi gjendja e tij nuk është e mirë.
Megjithatë, sipas Hunter Biden, ish-presidenti vazhdon të jetë aktiv publikisht dhe të flasë për çështjet që i konsideron të rëndësishme. “Ai ende po bën punën e tij. Ai beson shumë në këtë vend”, u shpreh Hunter. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
