Kriza rreth presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po thellohet gjithnjë e më shumë, ndërsa federatat kombëtare janë ndarë në dy kampe: disa po kërkojnë largimin e tij, ndërsa të tjera vazhdojnë ta mbështesin. Në qendër të përplasjes është FIFA Forward Enterprise (FFE), struktura e re komerciale përmes së cilës FIFA kishte planifikuar të përfshinte investitorë privatë në pronësi.
Projekti, i cili sipas FIFA-s mund të gjeneronte deri në 4.2 miliardë dollarë, shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit. Pas kritikave të shumta, FIFA e tërhoqi propozimin dhe kërkoi falje për mënyrën se si ishte menaxhuar situata. Megjithatë, tërheqja e projektit nuk e ka ndalur presionin ndaj Infantinos.
UEFA dhe disa prej federatave të saj anëtare janë pozicionuar kundër presidentit të FIFA-s. Uellsi, Finlanda, Suedia, Anglia, Jordania, Shqipëria dhe Norvegjia kanë tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e tij. Norvegjia ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar publikisht dorëheqjen e Infantinos. “Besimi tashmë është humbur dhe FIFA ka nevojë për udhëheqje të re.
Besojmë se koha e Gianni Infantinos si president i FIFA-s duhet të përfundojë dhe po i kërkojmë të japë dorëheqjen”, deklaroi presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness. Megjithatë, Infantino nuk është i vetëm në këtë përballje.
Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) e ka rikonfirmuar unanimisht mbështetjen për të, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e futbollit afrikan. Në krah të presidentit të FIFA-s janë pozicionuar edhe Meksika, Paraguai dhe Argjentina.
Federata Meksikane ka shprehur mbështetje për udhëheqjen e Infantinos, ndërsa Argjentina ka vlerësuar punën e tij që prej zgjedhjes në vitin 2016, si dhe faktin që ai pranoi gabimet e bëra lidhur me propozimin kontrovers. Përplasja rreth Infantinos po shndërrohet kështu në një ndarje të madhe brenda futbollit botëror.
Në njërën anë janë UEFA dhe disa federata që kërkojnë ndryshim të lidershipit, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë CAF dhe federata të tjera që vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë presidentit të FIFA-s. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
