Irani ka vendosur një sërë kushtesh ndaj Shteteve të Bashkuara përpara se të rihapë Ngushticën e Hormuzit. Mohammad Bagher Zolghadr, sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ka bërë publike përmes mediave shtetërore iraniane kërkesat që SHBA-ja duhet t’i përmbushë.
Në listën e kushteve përfshihen heqja e bllokadës detare amerikane, tërheqja e forcave ushtarake dhe përfundimi i përhershëm i luftës . Teherani kërkon gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të kompensojnë Iranin për dëmet e shkaktuara nga konflikti dhe të lirojnë asetet iraniane të ngrira .
“Këto janë kërkesat e popullit iranian, të cilat ata i kanë shprehur fuqishëm gjatë 160 ditëve të qëndrimit të palëkundur në terren dhe në rrugë”, deklaroi Zolghadr. “ Derisa Amerika të korrigjojë sjelljen e saj, Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet ”, thuhet në deklaratën e tij, shkruan CNN, përcjell Sinjali.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të shtunën se Irani është “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje me Omanin për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, Araghchi paralajmëroi se rihapja e ngushticës është e kushtëzuar edhe nga çështje të tjera, përfshirë kërkesën që SHBA-ja të ndreqë atë që Irani e konsideron shkelje të një memorandumi mirëkuptimi të arritur mes dy vendeve në qershor. Ministria e Jashtme e Omanit i ka përshkruar negociatat si “pozitive dhe konstruktive” .
Sipas CNN, të premten transmetuesi shtetëror iranian IRIB raportoi se ligjvënësit iranianë kishin rënë në masë të madhe dakord për një kornizë të propozuar marrëveshjeje me Omanin, por ende po prisnin “miratimin përfundimtar”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
