Incidenti i ndodhur të shtunën në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është pasqyruar edhe nga disa prej mediave dhe agjencive të njohura ndërkombëtare.
Pamjet nga seanca konstituive, gjatë së cilës ndodhi incidenti, janë publikuar nga agjenci të mëdha të lajmeve dhe media ndërkombëtare, duke bërë që përplasja në Kuvend të marrë vëmendje përtej Kosovës.
Associated Press publikoi videon e incidentit me përshkrimin se një ligjvënëse opozitare hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare. Edhe Reuters ka shpërndarë fotografi dhe video nga ngjarja, ndërsa britanikja The Guardian publikoi pamjet duke raportuar për incidentin mes deputetes kosovare dhe kryeministrit në detyrë.
Ngjarjen e kanë pasqyruar gjithashtu BBC dhe Sky News, duke i sjellë zhvillimet nga Kuvendi i Kosovës para audiencës ndërkombëtare. Hedhja e vezëve ndodhi në një moment tensioni gjatë seancës konstituive.
Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte kërkuar më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive, duke thënë se dialogu mund të ndihmojë në shmangien e zgjedhjeve të reja. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi ndërhyrjen e pjesëtarëve të sigurimit.
Seanca më pas vijoi në një atmosferë të tensionuar, me përplasje dhe akuza të ndërsjella mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
