Shpërndaje në: Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, DItmir Bushati, ka thënë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mund të kishte treguar më shumë vlerësim për Kosovën gjatë vizitës që pati në Beograd sot dhe dje. Bushati ka thënë se vizita e Zelenskyt në Serbi duhet të kuptohet me faktin se Ukraina po përballet me një luftë ekzistenciale.
“Vizita e Zelenskyt në Serbi duhet të kuptohet në kontekstin e luftës ekzistenciale me të cilën po përballet Ukraina. Askush nuk priste ndonjë përparim. Megjithatë, Zelensky mund të kishte treguar më shumë vlerësim për partnerët në Evropën Juglindore, përfshirë Kosovën, e cila ka qëndruar fuqishëm në krah të Ukrainës”, ka shkruar Buxhati në “X”.
Gjatë qëndrimit në Serbi, Zelensky pohoi se nuk e kanë ndërmend ta njohin Kosovën. Kosova është prej vendeve që i ka dhënë mbështetje vazhdimisht Ukrainës prej kur ka nisur lufta me Rusinë në vitin 2022. Kosova pranoi të strehojë refugjatë ukrainas, nisi program për gazetarët ukrainas, i vendosi sanksione Rusisë dhe ofroi ndihmë humanitare dhe mjekësore.
