Incidenti i së shtunës në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të njohura ndërkombëtare.
Pamjet nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës janë publikuar nga disa prej mediave dhe agjencive më të mëdha të lajmeve në botë, duke e bërë incidentin një nga momentet më të komentuar të zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.
Agjencia “Associated Press” publikoi videon me titull “Ligjvënësja opozitare hedh vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”. Agjencia “Reuters ” u ofroi mediave fotografi dhe video, ndërsa “The Guardian” publikoi videon duke e titulluar “Ligjvënësja kosovare i hedh vezë kryeministrit”.
Kurti: Nëse hedhja me vezë është çmimi që duhet ta paguaj për t’u takuar e bashkëbiseduar jam i lumtur ta bëj këtë Këtë incident në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës e publikuan edhe portali i BBC-së dhe “Skynews” .
Ndërkaq, hedhja e vezëve ndodhi në një moment tensioni gjatë seancës, pasi kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke argumentuar se dialogu mes partive mund të shmangë zgjedhjet e reja.
Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi ndërhyrjen e sigurimit, ndërsa zhvillimet në Kuvend u shoqëruan me përplasje dhe akuza mes pozitës dhe opozitës.
