Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, ka mbajtur një fjalim të fortë në protestën e 70-të kundër qeverisë, duke e cilësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në shesh si revoltën e akumuluar ndër vite ndaj qeverive, siç u shpreh ai, “mafioze, tradhtare dhe keqpërdoruese”.
Zotaj deklaroi se gjatë këtyre 70 ditëve protestuesit janë përballur me sulme si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, apo nga ata që i quajti “lakenjtë dhe çakejtë”. “Të jemi krenarë të gjithë që të mos lejojmë që çakejtë, delirantët nga rrjetet sociale të zbehin vullnetin dhe qëllimin tonë atdhedashës.
Asnjëri nga ne që jemi këtu në shesh nuk besoj se pretendon të marrë poste politike”, tha ai. Në fund, ai tha se qëllimi i protestuesve është ndërtimi i një Shqipërie që duhet t’i përkasë qytetarëve dhe jo pushtetit. “Delirantët, patronazhistët dhe kriminelët e qeverisë mund të lehin. Kush merret me qentë që lehin rrugës?
Ne e kemi destinacionin, një Shqipëri të re, të pavarur dhe të pakorruptuar, një Shqipëri të popullit dhe jo të pushtetit”, përfundoi ai. Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj: Dalja e çdo qytetari këtu është revolta e 35 vjetëve nga qeveritë mafioze, tradhtare dhe keqpërdoruese.
Në këto 70 ditë, lakenjtë dhe çakejtë e pushtetit dhe opozitës mundohen dhe luftojnë me çdo kusht protestuesit nga të gjitha anët. Mund të lexoni dhe të shikoni nëpër rrjetet sociale jo vetëm pushtetarët dhe patronazhistët e tyre, por edhe ndonjë delirant që ka qejf të jetë i pari në çdo vend. Ne jemi ushtarë të atdheut.
Grada e gjeneralëve duket e bukur dhe është e madhe, por ajo është e pisët, siç është grada e kryeministrit Edi Rama, sepse betejën dhe lavdinë për betejën e ka ushtari. Ai ballafaqohet me sakrificën e përditshme, ai ballafaqohet me të nxehtin, me acarin dhe me plumbin. Ashtu siç ballafaqohemi ne për 70 ditë me të nxehtin dhe me torturat e mëdha në këto 70 ditë protestë.
Të jemi krenarë të gjithë që të mos lejojmë që çakejtë, delirantët nga rrjetet sociale të zbehin vullnetin dhe qëllimin tonë atdhedashës. Asnjëri nga ne që jemi këtu në shesh nuk besoj se pretendon të marrë poste politike. Ne duam të jetojmë në shtëpitë tona me dinjitet, në një shtet që na vlerëson.
Në një shtet që na pyet për vendimet, të cilat kanë ndikim dhe peshë dhe rolin e atdheut tonë. Ne luftojmë sot në shesh, që të mos luftojmë nesër në llogore. Të mos u lëmë fëmijëve tanë ligje dhe keqbërje që mund t’i ndreqim sot, të mos t’i bëjmë nesër me pushkë. Mos të bëhemi nga ata që e fitojnë lirinë me luftë dhe e humbasin në paqe. Të qëndrojmë këtu.
Kjo është lufta më e lehtë për të mbrojtur interesat e atdheut, ndaj të qëndrojmë. Delirantët, patronazhistët dhe kriminelët e qeverisë mund të lehin. Kush merret me qentë që lehin rrugës? Ne e kemi destinacionin, një Shqipëri të re, të pavarur dhe të pakorruptuar, një Shqipëri të popullit dhe jo të pushtetit.
