Ramadani: Po alarmojmë për shkelje të Kushtetutës, VV-ja po e çon

0%

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca, Burim Ramadani ka reaguar lidhur me situatën politike dhe ngërçin institucional në vend, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese. Ramadani ka theksuar se Aleanca nuk e konteston fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 7 qershorit, por sipas tij, VV-ja duhet ta zbatojë në praktikë mandatin e marrë nga qytetarët.

“Ne nuk kontestojmë fitoren e VV-së. Duam që në zgjedhjet e ardhshme të fitojmë ne, por momentalisht fitoren e ka pasur VV”, ka shkruar Ramadani në Facebook. Ai ka thënë se Aleanca nuk e konteston as të drejtën e Vetëvendosjes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e re, duke kërkuar që kjo e drejtë të zbatohet.

Sipas Ramadanit, Aleanca ka ofruar mbështetje për zgjedhjen e presidentit, pa kërkuar pozita apo përfitime partiake. Ai ka bërë të ditur se partia e tij ka propozuar një pako me gjashtë pika për vendime që i konsideron strategjike dhe jetike për Kosovën, në këmbim të shtatë votave të saj për kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, Ramadani pretendon se Vetëvendosje nuk i është përgjigjur kësaj oferte dhe se, njëkohësisht, nuk ka propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. “Duke mos konstituuar Kuvendin, nuk po e bëjnë Qeverinë e re, për të cilën populli e ka votuar më 7 qershor. Pra, po e lënë Kosovën pa Parlament e pa Qeveri”, ka deklaruar ai.

Ramadani ka kritikuar gjithashtu VV-në për, siç tha ai, tejkalimin e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. “Në krejt këtë situatë amullie që po krijojnë, VV-ja ka tejkaluar edhe afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Pra, po e çon Kosovën në pakushtetutshmëri”, ka shkruar ai.

Deputeti i Aleancës ka thënë se partia e tij do të vazhdojë të jetë aktive në mbrojtje të rendit kushtetues. “Ne alarmojmë për shkeljen e Kushtetutshmërisë. Ne jemi aktiv dhe do të jemi vazhdimisht në promovim e mbrojtje të kushtetutshmërisë. Mbajeni pushtetin, por harrojeni që mund ta prishni shtetin!”, ka shkruar Ramadani.

Burimi: Telegrafi