Rama: Kosova s’është pronë e Albin Kurtit

0%

Shpërndaje në: Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për “papërgjegjësi institucionale” dhe “lojë të rrezikshme me funksionimin e shtetit”. Të shtunën, Kurti kërkoi edhe një herë shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, për siç tha ai, që t’u jepet kohë negociatave me parti të tjera për postin e presidentit.

Ai tha se pa marrëveshje për presidentin, Kosova rrezikon zgjedhje të reja. E seanca e sotme u mbajt përtej afatit kushtetues që kërkon që Kuvendi të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Seanca u përcoll edhe me tensione. Deputetja e Aleancës Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit.

Në një reagim, Rama që në zgjedhje ka fituar duke përfaqësuar LDK-në, ka thënë se “Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit”. “Kushtetuta nuk është mjet për manipulime politike… Ajo që po shohim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është papërgjegjësi e rëndë institucionale dhe një lojë e rrezikshme me funksionimin e shtetit. Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt”, ka shkruar Rama në Facebook.

Rama ka akuzuar Kurtin dhe Vetëvendosjen se “kur i kanë numrat flasin për demokraci” e se “kur nuk i kanë prodhojnë bllokada”. “Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.

Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Deri kur do të jetojë ky popull në krizë, tension dhe përçarje politike? Populli i Kosovës nuk meriton politikanë përçarës që prodhojnë vazhdimisht kriza dhe trauma. Ka mjaft vuajtje ky popull. Ka mjaft përçarje. Ka mjaft kriza.

Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë, demokracinë dhe shtetin e saj që institucionet sot të përdoren si monedhë për kalkulime politike. Albin Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po e menaxhon këtë krizë. Detyra e një Kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit”, ka shtuar Rama.

Burimi: Koha