Edhe pse ishte paralajmëruar se skuadra e Skopjes, e rikthyer në elitë e futbollit të Maqedonisë së Veriut, do ta zhvillonte ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi në stadiumin e saj, megjithatë nuk do të ketë ndeshje në Autokomandë, të paktën për momentin.
Ndeshja e nesërme e javës së dytë të PMFL-së, ndërmjet Skopjes dhe Strugës Trim & Lum, zyrtarisht do të zhvillohet në njërin prej terreneve të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM). Arsyeja besohet të jetë fakti se stadiumi i Autokomandës (‘Zhelezarnica”) ende nuk është plotësisht i përgatitur për një ndeshje të nivelit të parë.
Me shumë gjasë, çështja lidhet me vendosjen e sistemit VAR. Kështu, tifozët e klubit nga Autokomanda do të duhet të shkojnë në FFM për ta mbështetur ekipin e tyre në duelin e nesërm kundër Strugës Trim & Lum. Kujtojmë se nesër, në të njëjtën orë, , në Arenën Kombëtare në Shkup do të zhvillohet derbi i madh Vardari – Shkëndija.
