Një aksion i Doganës së Kosovës është duke u zhvilluar në Prizren, ku cak i kontrollit është bërë argjendaria e Zef Grudës, merr vesh Gazeta Sinjali. Sipas informacioneve të para të Sinjalit, zyrtarët doganorë kanë zbarkuar në ambientet e argjendarisë në kuadër të veprimeve që lidhen me dyshimet për mall të kontrabanduar dhe mall të padeklaruar.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë aksionit po kontrollohet dokumentacioni përkatës dhe prejardhja e mallit, me qëllim të verifikimit nëse produktet e gjetura janë futur dhe janë qarkulluar në përputhje me procedurat dhe detyrimet doganore.
Ende nuk dihet sasia dhe vlera e mallit që është objekt i kontrollit, si dhe nëse deri në këtë fazë është bërë sekuestrimi i ndonjë sasie të arit apo produkteve të tjera. Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detajet e reja nga ky aksion.
Shënim: Dyshimet e ngritura në kuadër të hetimit nuk paragjykojnë përgjegjësinë penale të personave të përfshirë, e cila mund të përcaktohet vetëm me vendim të formës së prerë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
