Shpërndaje në: Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po e konsideron absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se afati detyrues 30-ditor ka përfunduar dhe se LVV-ja nuk e ushtroi përgjegjësinë ekskluzive për ta propozuar kandidatin për kryeparlamentar.
Sipas KDI-së, Lëvizja Vetëvendosje “me vetëdije” po e vazhdon “bllokadën institucionale”. “Kjo situatë tashmë e ka tejkaluar rrafshin e mosmarrëveshjes politike ndërmjet partive parlamentare. Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme.
Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit”, thuhet në komunikatën e institutit.
KDI-ja ka deklaruar se së paku dhjetë deputetë duhet t’i referohen menjëherë Gjykatës Kushtetuese me vendimet dhe veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit duke i kërkuar disa përgjigje.
“Nëse mosushtrimi brenda afatit i së drejtës së propozimit e ka shteruar mandatin e kësaj përbërjeje për përfundimin e procesit konstitues; çfarë vlefshmërie juridike kanë veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit; dhe cila procedurë kushtetuese duhet të ndiqet më tej, përfshirë hapjen e rrugës për zgjedhje të reja”, thonë pyetjet që sipas KDI-së duhet të dërgohen në Kushtetuese.
