Në një konferencë për media pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kreu i LVV-së, Albin Kurti, tregoi pse ai nuk dha një emër për kandidat për kryekuvendar.
Kurti tha se nuk propozuan një emër për kryetar Kuvendi ndonëse i kanë votat për një gjë të tillë meqë, sipas tij, çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për presidentin e Republikës “pashmangshëm do të na shpinte te zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme dhe gjithsesi të dëmshme”.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërpre pasi Kurti kërkoi kohë shtesë për emrin e kandidatit për kryeparlamentar. Pas kësaj, deputetja nga radhët e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit dhe grupit parlamentar të LVV-së, gjë që e shtyri kryesuesin, Avni Deharin, ta ndërpriste seancën.
