Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një patrullimi rutinë në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut ka zbuluar veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi. Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët e Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, rreth orës , gjatë kryerjes së detyrave të rregullta kanë vërejtur një puset të hapur.
Gjatë kontrollit të vendit, ata kanë hasur në një qese të zezë plastike që ka ngritur dyshime. Pas nxjerrjes dhe verifikimit të saj, policia ka gjetur disa pajisje dhe veshje ushtarake, ndër to pesë kapela ushtarake me ngjyrë të gjelbër, dy gjoksore me vende për municion, një rrip ushtarak, çanta për mbajtjen e karikatorëve dhe pajisje të tjera të përdorimit ushtarak.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që në këtë fazë të mos iniciohet procedurë penale. Të gjitha pajisjet janë sekuestruar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat e mundshëm të përfshirë.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për “Bota sot”, thotë se ky rast nuk duhet të trajtohet thjesht si një incident i izoluar. Sipas tij, në këtë fazë nuk duhet të nxirren përfundime pa përfunduar hetimet, por ka pyetje serioze.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala “Zbulimi i veshjeve dhe pajisjeve ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi në Mitrovicën e Veriut nuk duhet të trajtohet thjesht si një incident i izoluar.
Në një zonë me histori tensionesh, ndikimesh të jashtme dhe aktivitetesh të strukturave hibride ilegale, një rast i tillë përbën një indikator që kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet e sigurisë.
Në këtë fazë nuk mund të nxirren përfundime pa përfunduar hetimet, por fshehja e pajisjeve me karakter ushtarak në hapësirë publike ngre pyetje serioze: kush i ka vendosur aty, kur janë fshehur dhe për çfarë qëllimi?
Ekziston mundësia që këto pajisje të jenë përdorur apo planifikuar për aktivitete të paligjshme, përfshirë veprime destabilizuese, veçanërisht duke marrë parasysh incidentet e mëparshme të sigurisë në veri dhe sulmet ndaj institucioneve të Kosovës” , deklaron Shala.
Ai thekson se fakti që pajisjet janë fshehur në një infrastrukturë publike tregon një përpjekje për t’i mbajtur ato larg vëmendjes së autoriteteve dhe qytetarëve. “Fshehja e pajisjeve në një puset kanalizimi nuk është një mënyrë e zakonshme ruajtjeje.
Kjo tregon elemente të fshehtësisë dhe ngrit dyshime se dikush ka tentuar t’i mbajë pajisjet të padukshme për një periudhë të caktuar kohore” , vlerëson ai. Sipas Shalës, ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim për forcimin e monitorimit, shkëmbimit të informacionit dhe kapaciteteve parandaluese.
“Policia e Kosovës duhet të zhvillojë hetime të plota për të identifikuar origjinën e pajisjeve, lidhjet eventuale me individë apo grupe të organizuara dhe të zgjerojë hetimet për të parë nëse ekzistojnë depo të tjera të ngjashme ku janë fshehur uniforma dhe pajisje të tjera.
Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim për forcimin e monitorimit, shkëmbimit të informacionit dhe kapaciteteve parandaluese. Në veri të Kosovës, çdo element me karakter ushtarak jashtë kontrollit institucional duhet të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare dhe jo vetëm si çështje policore”, shton eksperti i sigurisë.
Ai paralajmëron se raste të tilla mund të ndikojnë edhe në perceptimin e sigurisë së qytetarëve në veri, prandaj transparenca institucionale dhe hetimi i plotë janë të domosdoshëm për të shmangur spekulimet dhe për të ruajtur besimin publik në institucionet e sigurisë.
