Ndryshon gjithçka

0%

Situata në repartin e portës te Vllaznia ka marrë një kthesë të papritur vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt finalizimit të marrëveshjes me portierin malazez Misho Dubljaniç, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar skenarin.

Gardiani 26- vjeçar, që shihej shumë pranë veshjes së fanellës kuqeblu, tashmë nuk konsiderohet më një çështje e mbyllur, ndërsa në tavolinën e drejtuesve kanë dalë alternativa të tjera. Një prej tyre është rikthimi i mundshëm i Leon Pohls. Portieri gjerman ishte shumë pranë transferimit te Sherif Tiraspol, por negociatat nuk arritën të finalizoheshin.

Kjo ka bërë që emri i tij të rikthehet sërish në orbitën e Vllaznisë, klub ku la përshtypje pozitive sezonin e kaluar. Një rikthim i tij nuk mund të përjashtohet, duke qenë se drejtuesit e njohin mirë cilësitë e gardianit dhe e konsiderojnë një opsion të besueshëm. Pikërisht këto zhvillime e kanë bërë disi “lëmsh” situatën në katërkëndorin kuqeblu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga njëra anë, klubi vijon të kërkojë një portier me eksperiencë që të ofrojë më shumë garanci gjatë një sezoni me objektiva të larta, ndërsa nga ana tjetër emrat në qarkullim dhe ndryshimet e vazhdueshme në merkato kanë lënë të hapur çdo skenar. Ende nuk është e qartë se kush do të jetë zgjedhja përfundimtare e drejtuesve dhe stafit teknik.

Në këtë panoramë, ai që përfiton më shumë është Aron Jukaj. Portieri shkodran ka zhvilluar një fazë përgatitore bindëse dhe ka fituar besimin e trajnerit Edi Martini. Në mungesë të një afrimi të menjëhershëm, gjithçka të çon te ideja se ai do të jetë titullar në javët e para të kampionatit, duke pasur mundësinë të tregojë se e meriton vendin mes shtyllave.

Për Jukajn, kjo është një mundësi e artë. Nëse arrin të konfirmojë formën e mirë edhe në ndeshjet zyrtare, ai jo vetëm mund të blindojë fanellën e titullarit, por edhe t’ua vështirësojë ndjeshëm punën drejtuesve në rast se vendosin të afrojnë një portier tjetër.

Për momentin, situata në portën e Vllaznisë mbetet e hapur, ndërsa pritet të shihet se cili do të jetë episodi i radhës në një nga repartet më të diskutuara të merkatos kuqeblu.

Burimi: Bota Sot