Fundjava ka nisur me fluks të lartë në pikën kufitare të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, 8 gusht. Sipas të dhënave të Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, vetëm gjatë intervalit nga ora deri në kanë hyrë në Shqipëri 6,847 automjete dhe 24,764 shtetas të Kosovës.
Për të përballuar fluksin e madh të udhëtarëve dhe automjeteve, Policia Kufitare po punon me të gjitha sportelet në dispozicion, me synim përpunimin sa më të shpejtë të hyrjeve. Fluksi i automjeteve është shtrirë edhe në aksin e Rrugës së Kombit, nga Morina drejt Pikës së Pagesës, ku qarkullimi është shtuar ndjeshëm.
Masa të ngjashme janë marrë edhe në Pikën e Pagesës së Rrugës së Kombit, ku po punohet për të shmangur krijimin e radhëve të gjata. Shumë qytetarë nga Kosova dhe diaspora kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavën dhe pushimet verore, ndërsa fluksi pritet të vijojë gjatë gjithë fundjavës. Hyrjet drejt Shqipërisë mund të rriten më tej gjatë orëve në vijim dhe gjatë së dielës.
Morina është një nga pikat kryesore të hyrjes në Shqipëri për pushuesit nga Kosova dhe diaspora, veçanërisht gjatë sezonit veror. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm gjatë muajit korrik, në pikën kufitare të Morinës janë përpunuar rreth 422 mijë udhëtarë dhe 130 mijë automjete, duke konfirmuar intensitetin e lartë të lëvizjeve gjatë sezonit turistik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
