Dinamo ka realizuar një tjetër transferim shumë fitimprurës, duke shitur Mustafa Koma te klubin belg i Genk. Blutë kanë vazhduar të përfitojnë shifra shumë të rëndësishme për lojtarët që shesin jashtë Shqipërisë dhe kështu ka ndodhur edhe në këtë rast. Sipas asaj që mësohet, lojtari nga Gambia është shitur për një shifër prej 700 mijë eurosh nga Dinamo te klubi i njohur belg.
Kjo nënkupton padyshim një përfitim shumë të lartë për një lojtar i cili nuk ishte titullar fiks te blutë e për më tepër në një moshë të re. Ndërkohë, klubi i Genk ka prezantuar futbollistin duke konfirmuar firmën për 5 sezone me të.
Por njëkohësisht, ka bërë të ditur se ka regjistruar lojtarin jo me ekipin e parë, por me të dytin, Jong Genk, i cili merr pjesë në kategorinë e dytë të kampionatit belg. “Mustafa është një profil interesant në futbollin modern. Ai zotëron cilësi fizike dhe teknike. Gjatësia, shpejtësia dhe lëvizja e mirë e këmbëve të tij formojnë një kombinim interesant asetesh.
Në të njëjtën kohë, ai është ende i ri dhe do t’i jepet kohë te Jong Genk për t’u përshtatur dhe për të zhvilluar më tej potencialin e tij”, tha Shtijn Heldermans, koordinatori teknik i talenteve në klubin e njohur belg..
